Partizani ka qenë “preja” e preferuar e Erald Çinarit kur luante te Vllaznia, por nesër, futbollisti shkodran shkon si i kuq në “Loro Boriçi”, me shpresën që të ruaj zakonin për të shënuar në një ndeshje të tillë. Gjithsesi, ai ka pohuar se nuk do të festojë nëse do të shënojë gol në portën e Vllaznisë.
Në intervistën e dhënë dje për “RTSH Sport”, 23- vjeçari e shikon si ndeshje të ekuilibruar dhe deklaron se Partizani do të zbresë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” për të marrë maksimumin.
“Ekipi i Vllaznisë ndodhet në një moment shumë të mirë, ka marrë rezultatet. Por, Vllaznisë gjithmonë i ka peshuar fanella dhe çdo herë ndeshjet kundër skuadrës shkodrane kanë qenë tepër të vështira.
Sigurisht që nuk do të festoj, pasi është ekipi ku unë jam rritur. Por jam profesionist dhe do të bëj punën time dhe po m’u dha rasti, normalisht që do të bëj gol. E vetmja gjë që mund të bëj në këtë rast, është se nuk do të festoj, në shenjë respekti.
Shpresoj që të fitojmë ne. E thashë edhe më sipër se e parashikoj si një ndeshje tepër të rivalizuar dhe le të fitojë më i miri.