Partizani duket se këtë sezon është në rrugën e duhur për shpalljen kampion pas shumë vitesh. Të kuqtë kryesojnë në kuotën e 35 pikëve pas 16 javësh dhe janë pranë titullit simbolik të kampionit të dimrit për sezonin 2018-19.
Tek 15 herë kampionët e Shqiperisë kanë qenë disa elementë që kanë spikatur deri në këtë pikë të sezonit. Duke filluar me kapitenët Hoxha dhe Belica, “gjeneralët” Telushi dhe Trashi apo edhe djelmoshat Asani, Bardhi dhe Hebaj. Por një që duket se është lënë disi në “hije” në ambientin e “demave” është Erald Çinari.
Mëngjërashi shkodran ishte i shumë kërkuar nga drejtuesit e kuq në merkaton e verës. 22-vjeçari u projektua për një transferim të bujshëm në Spanjë te Deportivo Alaves që do e huazonte mesfushorin në Kroaci te ekipi i Istras. Por problemet me dokumentacionin dhe mosmarrëveshjet me Vllazninë bënë që Çinari të qëndronte në Shqipëri ku pati oferta edhe nga Tirana dhe Laçi, por ishte Partizani që këmbëngulte prej kohësh dhe në orët e fundit të merkatos zyrtarizoi marrëveshjen.
Ish-futbollisti i Vllaznisë u afrua për shifrën e 40 mijë eurove në rradhët e Partizanit. Në fillim u duk një goditje e bujshme për “demat” ku edhe Çinari ishte projektuar si titullar në formacionin që do luftonte për titull kampion. Gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve dhe shkodrani nuk shijoi shumë minuta.
Erald Çinari është një nga lojtarët që ka krijuar një reputacion shumë të mirë në këto vite aktivizim në Superligë. Ai madje u shndërrua në një “makth” për Partizanin dhe Alban Hoxhen ku në 4 sezone aktivizim me Vllazninë i shënoi plot 3 herë të kuqve. Gjithashtu vlerat e tij njihen ku është aktivizuar me të gjithë grupmoshat e kombëtares së Shqipërisë duke qenë një nga më të spikaturit të moshës së tij në kampionatin tonë.
Një lojtar i një klasi të tillë ku mund te jetë ndër futbollistët e vetëm që 8 nga 10 ekipeve të Superligës së këtij viti iu ka shënuar së paku një gol. Shkodrani në karrierën e tij nuk ka shënuar vetëm kundër Luftëtarit dhe Laçit pasi edhe Kastriotit i ka shënuar në një ndeshje kupe kur luante me fanellën e Vllaznisë.
Trajneri Gega nuk i ka dhënë minutat e merituara Çinarit që sa herë ka luajtur ka treguar vlerat e tij. Madje mund të themi se mesfushori me tipare sulmuesit ishte një ndër promotorët e përmbysjes së rezultati kundër Tiranës në derbi ku dhuroi dy asiste për 10 minuta aktivizim ku në njërin prej tyre Hebaj e dërgoi topin në rrjetë për t’i dhënë fitoren “demave”.
Në ndonjë rast edhe është gabuar me mosaktivizimin e 22-vjeçarit ku në ndeshjen kundër Skënderbeut ekipi po humbiste 0-1 dhe Gega futi në lojë një futbollist thuajse anonim si So dhe nuk aktivizoi Çinarin. Rezultati në fund ishte 0-2 për korçarët.
Me të vërtetë ekipi i kuq po ecën shumë mirë në kampionat dhe zgjedhjet e trajnerit janë e drejtë e tij. Por të mbash në stol një lojtar që në treg vlerësohet me rreth 300 mijë euro është një luks i tepruar edhe për një ekip si Partizani që duhet të përdorë çdo armë të tijën për të fituar kampionatin e shumë kërkuar.
Me shumë mundësi gjërat mund të ndryshojnë me fillimin e pjesës së dytë të sezonit ku Çinarit do i mundësohen më shumë minuta. Historia e ka treguar që shkodranët te Partizani kanë shkëlqyer gjithmonë e madje duke fituar trofe. Edhe Çinari është një pasues i denjë i brezave parardhës dhe kërkon trofetë e parë në karrierë pikërisht me një fanellë legjendare si ajo e Partizanit. /Newsport/