Dukej se ishte e shkruar për t’u mbyllur në një mënyrë të tillë. Erblira Bici ka shënuar pikën e fitores së skuadrës së saj në finalen në 3 sete që skuadra e saj, Roma, arriti në finalen e Kupës së Italisë për Serinë A2 në volejboll për femra.

Ndonëse rezultati përfundimtar ishte 3-0, kjo ndeshje zgjati për plot 95 minuta, duke përfshirë edhe një set të 3-të dramatik, që shkoi në pikët shtesë dhe pas polemikave midis skuadrave dhe gjyqtarëve të takimit, që zgjatën disa minuta, dhe u fitua nga Roma me shifrat 32-30.

Dy setet e tjera, skuadra e volejbollistes shqiptare i pati fituar me shifrat 25-19 dhe 25-20, ndërsa Bici, e cila shënoi 20 pikë, u përzgjodh edhe Lojtarja më e Mirë (MVP e finales).

Bici dhe Roma fitojnë kështu, për herë të parë në historinë e klubit, Kupën e Italisë, ndërsa për volejbollistja 1 m e 86 cm të lartë ky ishte një rikthim tek trofeu, pasi e ka fituar më parë këtë trofe për Serinë A1 me Novarën, me të cilën është shpallur edhe “kampione e Evropës” disa vite më parë.

Tashmë skuadra e 27-vjeçares e kthen vëmendjen tek kampionati, aty ku ka korrur 15 fitore në po aq ndeshje dhe është në rrugë të mbarë për t’u ngjitur në Serinë A1 sezonin e ardhshëm.