Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka vlerësuar paraqitjen e ekipit kuqeblu ndaj kryesuesve të kampionatit, Tiranës. Sipas tij, skuadra mund të kishte marrë edhe më shumë në këtë sfidë.

Gjithsesi, barazimi mund të quhet një rezultat pozitiv, duke marrë parasysh faktin se luhej në kryeqytet, paçka se në kalendar ishte Vllaznia. Në intervistën ekskluzive për gazetën “Panorama Sport” ai ka folur për objektivin madhor të Vllaznisë dhe dëshirën për të ngritur lart me 7 dhjetor trofeun e Superkupës. Ndërkohë, mbrojtësi i djathtë ndien kënaqësinë dhe krenarinë që do të jetë sërish pjesë e lojtarëve të grumbulluar në kombëtare nga trajneri italian, Edi Reja.

Ju vjen keq që nuk morët maksimumin në përballjen ndaj Tiranës?

Ishte një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga ana jonë, pasi kjo është klasikja e Shqipërisë dhe njëkohësisht një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit. Ishte një përballje mjaft e fortë. Kishim shumë raste dhe më vjen shumë keq që nuk dolëm me 3 pikë nga kjo ndeshje. Normalisht që edhe Tirana kishte rastet e veta, por besoj se ato më të pastrat i kishim ne. Duhet që të kishim shënuar të paktën një gol. Gjithsesi mendoj se duhet që të shikojmë përpara dhe të mos qajmë atë që ndodhi.


Barazimi mund të quhet një rezultat negativ?

Barazimi nuk është një rezultat negativ, sepse bëhet fjalë për një ndeshje jashtë, dhe më tepër në Tiranë ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë.


Pak ditë pushim tani për ju, a është kjo një frymëmarrje për Vllazninë?

Kemi disa ditë pushim dhe më pas do të vazhdojmë të punojmë për vazhdimësinë e kampionatit. Normalisht që është një frymëmarrje më shumë.

Tirana kryesuese, por Vllaznia ka marrë 4 pikë brenda në kryeqytet.A i ka forcat Vllaznia për të pretenduar për më shumë?

Sigurisht që Vllaznia i ka forcat për të dhënë më shumë. Gjatë gjithë kampionatit ekipi s’ka qenë i plotë. Kemi luajtur me lojtarë të alternuar, por besoj se pas pushimit lojtarët do të jenë të gjithë në dispozicion dhe ekipi do të jetë edhe më i fortë.

Tanimë ju jeni pjesë e Kombëtares edhe ndaj Italisë, a është kjo një ëndërr e realizuar për ju?

Kombëtarja është një ndjesi e bukur. Jam shumë i lumtur. Isha dy herë pjesë e Kombëtares, edhe pse 90% e skuadrës ishim nga Superiorja. Tani jam pjesë e Kombëtares me lojtarët kryesorë. Jam shumë i lumtur. Shpresoj që të vijë momenti dhe të tregoj vlerat e mia.


A është ky sezoni i duhur për të thënë se po vjen Vllaznia e madhe, ajo që pretendojnë të gjithë?

Vllaznia e madhe këtu ka qenë. Ka dy vite dhe ky është viti i tretë që Vllaznia ndodhet në këto nivele, pra që lufton për gjithçka në kampionat, por ndërkohë kemi fituar dy herë Kupën. Gjithsesi, mendoj se është ky ai vit, në të cilin Vllaznia do të luftojë për diçka madhore siç është titulli kampion.


Futbolli i elitës rikthehet me takimin e Superkupës më 7 dhjetor, do të jetë kapiteni Gurishta ai që do të ngrejë këtë trofe kundër Tiranës?

Kemi kohë që të përgatitemi. Dëshira ime është fitorja e Superkupës, më mungon ai trofe dhe natyrisht që kur bëhet fjalë për një ndeshje kundër Tiranës, të shijon dyfish më shumë.