Basketbollisti shqiptar i skuadrës së Virtusit në Itali, shkodrani Klaudio Ndoja ka mbajtur një fjalim prekës për të rinjtë në Eremo të Ronzanos, në Itali.
Gjatë fjalimit të tij, basketbollisti ka treguar historinë e jetës së tij, ardhjen me gomone në Itali, si dhe ngjitja në majat e basketbollit italian.
“Varfëria të jep një motivim që asgjë tjetër nuk mund të ta japë. Duhet të kujtoni se asnjë fitore nuk vjen pa u munduar”, ka thënë fillimisht Ndoja.
“Teksa po haja me ju, u riktheva pas në kohë, përpara 25 viteve. Arrita në Itali si ju, ishte viti 1997 në Shqipëri dhe zhvillohej lufta civile, ku çdo ditë, të jetoje ishte me të vërtetë një fat i madh.
Një ditë motra ime u godit nga një plumb, ndërkohë që po qëndronte në oborrin e shtëpisë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që të shtëpisë sime vendosën të shisnin ato pak gjëra që kishin për të paguar skafistët.
Kisha një qese të zezë nga ato që përdoren për të derdhur plehrat, brenda së cilës gjendeshin një palë këpucë dhe një kostum sportiv. Asgjë më shumë. Menjëherë me të ardhur në portin e Brindisit, filloi jeta si “i padukshëm”:
Kam jetuar për një vit e gjysmë në bodrumin e një fabrike. Duhej të dilje përpara se punëtorët të hynin dhe mund të ktheheshe vetëm në mbrëmje.
Përndryshe, duhej të qëndroje i heshtur përgjatë gjithë ditës në mënyrë që të mos kapeshim. Gjithmonë përpiqesha të dilja, por pasi të kisha ngrënë bukë, sheqer dhe të kisha pirë ujë”, ka treguar lojtari.
Historia prekëse e Ndojës u pasqyruar dhe në gazetën e njohur italiane, “Corriere della Sera” që i kushtoi një reportazh takimit të basketbollitit me të rinjtë.
Ndoja shihet si një nga basketbollistët më të mirë në Itali. /newsport/