Ecuria e skuadrës koplikase në këtë sezon ka patur shumë oshilacione. Ajo ka nisur mirë por më pas duke ndeshur edhe në një problematikë të madhe, rezultatet kanë munguar. Në javët e fundit, Veleçiku ka arritur të marrë vetëm një pikë dhe përveç problemit të mungesës së fushës, kanë ndikuar edhe gjykimet.

Ergi Borshi, një nga lojtarët titullarë të kësaj skuadre, ndalet vetëm tek takimi i fundit, ai ndaj Besës luajtur ditën e shtunë në “Selman Stërmasi” ku sipas tij gjykimi i ndeshjes i ka hequr mundësinë të marrë pikë kësaj skuadre. “Ka qenë një takim që nuk duhej humbur nga Veleçiku. Vërtetë në pjesën e parë loja jonë nuk u ngjit aty ku duhet e për rrjedhojë pësuam edhe një gol, më pas kemi qenë ne që kemi dominuar. Por kemi patur një pengesë të madhe në fushë, atë të gjyqtarit që na ka mohuar dy 11-metërsha mëse të pastër. Nuk është hera e parë që na ndodh kështu megjithatë këtë herë duket se u teprua. Ndoshta Veleçikun e shohin si një ekip të braktisur që nuk ka as fushë për të luajtur dhe prandaj gjyqtarët e kanë më të lehtë për ta ndëshkuar”- është shprehur ai. Mesfushori 19 vjeçar i ardhur në formë huazimi nga Vllaznia ka zhvilluar një sezon përgjithësisht të mirë deri tani me Veleçikun. Me përjashtim të ndonjë ndeshje ku nuk ka luajtur për shkak dëmtimi, në takimet e tjera ka qenë gjithnjë në fushë madje duke luajtur në pozicione të ndryshme, aty ku trajneri e ka patur të nevojshme. Borshi ndonëse luan në mesfushë, ka provuar të luajë edhe në mbrojtje, të luajë si mesfushor krahu madje edhe si sulmues i dytë. Për të sigurisht që është një sezon afirmimi dhe ai duhet të tregojë vlerat e tij. I dalë nga Akademia Vllaznia, natyrisht që premton shumë për të ardhmen megjithatë duhet shumë punë. Sigurisht edhe mbështetje por edhe rezultate pozitive. Tek Veleçiku ka patur jo pak probleme këtë sezon që kanë ndikuar edhe tek futbollistët dhe mbi të gjithë ai i fushës. Koplikasve ua kanë mohuar të drejtën të luajnë në qytetin e tyre për mosplotësim të kushteve nga fusha sportive e tij dhe për këtë arsye, çdo javë ata janë të detyruar të shtegtojnë sa në njërin qytet në tjetrin. Kështu duket se do të ndodhë edhe këtë javë teksa ende nuk dihet se ku do të luhet ndeshja me Kamzën. Pavarësisht këtij fakti, Ergi Borshi është i mendimit se objektivi i skuadrës me të cilën ai luan është i qartë. “Nuk e dimë ende se ku do të luajmë por natyrisht që nuk kemi objektiv tjetër përveç fitores. Skuadra po kalon një formë të mirë sportive dhe nëse kemi edhe një gjykim korrekt, jam i bindur se do ta mundim Kamzën”- ka thënë mesfushori Borshi.
Gjergj KOLA