Eridon Qardaku pas tri ndeshjeve në kampionat, ku mungoi për shkak të një lëndimi në gju, është rikthyer dhe u aktivizua si zëvendësues në sfidën e luajtur në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë, ku ballshiotët u mundën 2-1 mes polemikash për shkak të arbitrimit.

Bylisi pretendoi për dy raste, në të 58-ën kur Antoni Beji del përballë portës, por më pas frenohet nga gjyqtari Beqiri, që akordon faul për Bylisin dhe nuk lejon avantazhin.

Më pas ndaj Qardakut pamjet tregojnë se shkaktohet penallti ndaj shkodranit, por gjyqtari sërish vendosi ndryshe. Shkodrani cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj te Bylisi.

22-vjeçari po luan sezonin e tij të katërt në Ballsh.

Së fundmi ai ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, ku tregon për paraqitjet e tij si dhe për penalltinë, që sipas tij, nuk i është akorduar Bylisit.

“Dua që të ndalem te dy episodet e mia. Më vjen shumë keq që nuk shënova, kanë qenë momente vërtet delikate, sepse u futëm në fushë për të bërë më të mirën.

Mirë fati që po na mungon, por realisht ka qenë një sfidë, ku ndikoi dukshëm gjykimi. Është gjynah dhe mëkat, sepse ne po bëjmë më të mirën si skuadër.

Jemi duke i dhënë bukuri kampionatit, madje po të shohësh në sajë edhe të skuadrave të ngjitura nga e Para gara është bërë edhe më e bukur”, tha fillimisht sulmuesi i mallakastriotëve, Eridon Qardaku.

Shkodrani 22-vjeçar më pas ndalet te momenti më i diskutueshëm i ndeshjes, mosdhënia e penalltisë me protagonist vetë shkodranin, që luante ndaj ish-ekipit.

“Të jem i sinqertë dua që të tregoj atë që ka ndodhur dhe që për fat e panë të gjithë shqiptarët. Kush ka parë futboll, do të më japë plotësisht të drejtë mua dhe pretendimeve të klubit tonë.

Unë kam prekur topin dhe nuk është e vërtetë që kam rënë para, pasi kam qenë në versionin ‘sanduiç’. Më prish ekuilibrin edhe Shehi, edhe pse janë fraksione për të qindtën e sekondës.

Ndërkohë portieri ngre këmbën dhe më pengon, sepse porta ishte bosh dhe unë do të kisha shënuar.

Unë jam shkodran, jam rritur në Shkodër, kam familjen atje, e respektoj Vllazninë dhe dashamirësit e saj, por dua të them një të vërtetë të madhe që u pa direkt në televizion.

Mua dhe Bylisit na u mohua një penallti e pastër në mënyrë tendencioze. Nuk kam asgjë me Vllazninë, sepse e pësuam ne këtë herë, nesër mund ta pësojë edhe vetë Shkodra.

Unë e kam me mënyrën sesi ne u mundëm dhe është për të ardhur shumë keq”, përfundoi sulmuesi i Bylisit, Eridon Qardaku, i cili vjet shënoi 28 gola në 28 ndeshje në Kategorinë e Parë.