Po flitet shumë rreth tyre. Dikush i kritikon se nuk janë në lartësinë e duhur, të tjerët ndoshta i vlerësojnë më shumë sesa duhet. E vërteta është se futbollistët e Vllaznia U19 edhe njëherë tjetër sot kanë bindur për vlerat e tyre. Dikush më shumë dhe dikush më pak, kanë dhënë kontributin e tyre në fitimin e kupës së Shqipërisë.
Të mendosh se përballë kishin 3-4 lojtarë të Besës që luajnë me ekipin e parë në formacion dhe shkodranët dominuan në çdo drejtim ndaj tyre, tregon se kuqeblutë kanë vlera. Duke filluar nga portieri Qarri që u shfaq protagonist edhe sot, e për të përfunduar tek sulmuesi Ndreca.
Por në fakt, në finalen e sotme të fituar 2-1 ndaj Besës, protagonistët kryesorë të këtij suksesi kanë qenë dy futbollistë: Eridon Qardaku dhe Uheid Hoxha. Për më tepër, ata kanë qenë jo vetëm autorë të golave por edhe krijues të tyre.
Në golin e parë Qardaku mori 11-metërshin që u kthye në gol nga Hoxha, ndërsa në golin e dytë, Hoxha bëri gjithçka mirë në hyrje të zonës dhe golin e bëri Qardaku. Jo vetëm kaq, por përgjatë 90 minutave të ndeshjes kjo dyshe i ka bërë për vete të gjithë me lojën e zhvilluar.
© shkodrasport.com