Një lajm i bujshëm është duke qarkulluar së fundmi në Spanjë. Sipas asaj që raporton “Todofichajes”, Interi është gati të bëjë një goditje të rëndësishme në merkaton e janarit.

Thuhet se zikaltërit kanë shfaqur interes për të afruar në skuadër futbollistin e Realit të Madridit, Isko Alkorkon. Ky i fundit nuk po gjen hapësira në skuadrën e Zidanit dhe për këtë arsye me shumë mundësi në merkaton e janarit do të largohet.

Nga kjo kërkon të përfitojë Interi, që dëshiron ta afrojë në skuadër. Madje italianët kanë gati edhe ofertën për të bindur klubin madrilen. Thuhet se drejtuesit e Interit janë gati të ofrojnë 20 milionë euro plus shërbimet e Kristian Eriksenit te Reali, në mënyrë që të marrë Iskon.

Do të ishte një goditje e madhe në merkato, nëse kjo do të ndodhte, dhe Konte do të kishte në skuadër një fantazist, ndërsa Zidan do merrte te Reali Eriksenin, të cilin e ka kërkuar edhe më parë kur ishte pjesë e Totenhemit.