Pas dy javësh Vllaznia do të jetë në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Lushnjës. Skuadra shkodrane gradualisht ka nisur të marrë formë teksa është plotësuar me lojtarët e duhur por ende ka një dilemë: Atë se kush do të jetë në portë. Portieri aktual, Erind Selimaj, ende nuk ka rinovuar ndonëse ka patur kontakte me drejtuesi e klubit.

Këta të fundit, nisur nga kërkesa e stafit teknik, janë duke pritur ardhjen e një portieri tjetër dhe jo më kot në provë kanë qenë disa të huaj por deri më tani asnjëri nuk ka bindur. Selimaj është sërish aty. Në pritje të momentit të tij. I gatshëm kuptohet për të dhënë maksimumin dhe duke garantuar portën bashkë me portierin tjetër- Alen Sherri. Megjithatë, më parë duhet firmosur kontrata dhe me shumë të ngjarë kjo ka për të ndodhur sapo ekipi të kthehet nga faza përgatitore që është duke zhvilluar në Mal të Zi.
© shkodrasport.com