Vllaznia aktualisht nuk po kalon momente të mira megjithatë të gjithë drejtuesit e saj janë të bindur se kjo nuk është gjendja e saj reale. Përbërja dhe mundësitë janë për të bërë shumë më tepër. E thonë të gjithë specialistët e futbollit, e pranojnë edhe vetë futbollistët. Ua thotë edhe trajneri Ernest Gjoka në të gjithë kontaktet që ka me to. Thjesht u duhet më shumë besim për të treguar vlerat e tyre të vërteta.

Rikthimi i treshes Hasani- Lika- Vucaj, u prit mirë nga të gjithë sportdashësit dhe kjo krijoi idenë se mesfusha e Vllaznisë do të ishte më e mira e kampionatit. Por realisht nuk ka ndodhur kështu. Skuadra përsëri ka treguar oshilacione. Nga tre lojtarët e mësipërm, dy prej tyre, pikërisht Edon Hasani dhe Gilman Lika deri diku e kanë justifikuar praninë e tyre në skuadër, me lojë apo dhe me golat që kanë shënuar. I vetmi prej të cilit pritet më tepër është Erjon Vucaj. 27 vjeçari ende nuk ëhstë në formën e tij më të mirë sportive dhe kjo dallohet qartë. Për të mos thënë se ende nuk kemi parë atë mesfushor i cili për disa vite me rradhë ka spikatur duke qenë një nga më të mirët e kampionatit shqiptar. Por largimi nga Laçi, për tek Flamurtari fillimisht, më pas tek Tirana dhe sezonin e kaluar përsëri tek Laçi, krijoi jo pak probleme tek gjendja e tij dhe kjo po reflektohet prej kohësh. Megjithatë vetë lojtari është i ndërgjegjshëm se mund të japë më shumë. Mbase duke nisur nga ndeshja e kësaj të shtune në Vlorë. Pikërisht aty ku karriera e tij ndoshta filloi të marrë “tatëpjetën”. Ndoshta, përsëri aty mund të nisë “malorja” e formës së tij. Të gjithë presin Vucajn e vërtetë dhe sa më shpejt të vijë ai, aq më mirë do të jetë për Vllazninë.
© shkodrasport.com