Erjon Vucaj, mesfushori shkodran i Laçit, mund të veshë fanellën e Vllaznisë sezonin e ri futbollistik. Nga sa mësohet, ai është vënë në fokusin e trajnerit Artan Bushati, i cili ia njeh vlerat si lojtar që në kohën kur ka drejtuar ekipit përfaqësues Shpresa. Po të njëjtat burime kanë konfirmuar se presidenti Agron Çela, në kuadër të formimit të Vllaznisë së re, ka nisur kontaktet me shkodranin Vucaj. Kapiteni i ekipit të Laçit, me shumë gjasa, mund t’i thotë “po” pas dy vitesh ofertës së Vllaznisë. Nga sa mësohet, edhe nga burime pranë lojtarit, parimisht është rënë dakord që ai, pas përfundimit të këtij sezoni, të veshë fanellën kuqeblu. Vetëm në rast se Vucaj do të marrë një ofertë nga jashtë Shqipërisë, nuk do të bëhet e mundur kjo tratativë.
“Nëse ai nuk largohet nga Superiorja, atëherë ‘stacioni’ i tij i vetëm mbetet Vllaznia”, – kështu kanë pohuar burime të sigurta pranë lojtarit. Ndërkaq, nga sa mësohet mes dy palëve, është rënë dakord edhe sa i përket aspektit financiar. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të konkretizohet edhe kjo ofertë e drejtuesve të klubit Vllaznia, të cilët si pengesë për ta sjellë Vucajn në Shkodër kanë vetëm një largim të tij në ekipet europiane. Nga sa dihet Erion Vucaj është lojtari kryesor i Laçit këto sezonet e fundit. Ai, me lojën e tij në mesin e fushës, ka kontribuar jo pak në arritjen e objektivave që kjo skuadër ka pasur.
Të tjerët Nga sa dihet tanimë, drejtuesit e klubit kuqeblu kanë nisur bisedimet edhe me lojtarë të tjerë shkodranë për t’i sjellë në skuadër. Një prej tyre është Gilman Lika, ofertat për të cilin nuk kanë munguar dhe gjatë merkatos së janarit, porse ai preferoi të mbyllte kontratën me kryeqytetasit, si dhe masterin njëkohësisht. Tashmë që kjo i mbaron, krerët kuqeblu janë hedhur në sulm dhe, nga sa mësohet, i kanë bërë atij një ofertë joshëse për ta bindur që të kthehet në shtëpi sezonin e ardhshëm futbollistik. Gjithsesi, ndoshta duhet pritur të përfundojë zyrtarisht sezoni, në mënyrë që drejtuesit e klubit shkodran të fillojnë dhe të shpallin zyrtarisht afrimet për sezonin e ri. Ndërkaq, dihet tashmë se klubi kuqeblu ka vënë në shënjestër edhe Julian Ahmatajn, si dhe Erion Dushkun, për të cilët është mësuar se kanë rënë parimisht dakord me presidentin e Vllaznisë, Agron Çela për të veshur fanellën kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Nëse një gjë e tillë mund të bëhet realitet, atëherë mund të thuhet pa frikë se Vllaznia e sezonit të ri mund të jetë shumë shpresëdhënëse. Madje, nëse do të arrihen tratativat, në një farë mënyre shkodranët “bastisin” klubin e Tiranës. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë, pasi kanë mbetur edhe katër javë nga kampionati.
ADMIR URUÇI