Erkand Qerimaj i ka kërkuar dorëheqjen presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes pasi sipas tij ka tentuar të mbulojë një atlet të dopuar.

Akuza ka qenë direkt për Elez Gjozën pasi sipas Qerimajt numri një i Federatës nuk ka bërë publik faktin se një peshëngritës ka rezultuar pozitiv ndaj kontrolleve anti-doping.

Nga llogaria e tij në Facebook, Qerimaj akuzon Gjozën edhe për shpërdorim detyre ku thekson se “përdor fondet e Federatës për turizëm me familjen”. Këto akuza Qerimaj i bëri vetëm pak ditë pasi u shpall Kampion Europe në stilin e shkëputjes.

“Skandali i fundit ne federaten e peshngritjes, rasti i fundit i nje rasti sportist qe eshte kapur me doping, eshte mbajtur i fshehur nga federata dhe institucionet per te mbrojtur Federaten dhe Elezin. Mendimi eshte qe urgjentisht Elez Gjoza te japi doreheqjen e te behen zgjedhje te reja.

Drejton Federaten qe ne vitin 2013 dhe ka bere 3 Mandate me shume skandale. Fondi dhe Federata eshte per sportistet e trajneret, jo per te shkuar ne xhepat e medhenj te Presidentit. Ku realizon turizem me njerezit e familjes me leket e taksapaguesve! Shporru nga Federata! Hajdut, mashtrues. Mendimi im, Erkand Qerimaj -Kampion Europe Bote qe nga viti 2002”- shkruan ai ne postimin e tij.