Kampioni i Europës Erkand Qerimaj, paraditen e sotme është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Z. Bamir Topi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Ceremonia është zhvilluar në ambjentet e presidencës dhe përveç peshëngitësit, kanë marrë pjesë edhe familjarë dhe të afërm të tij. Sigurisht që ka qenë një ditë e veçantë për Qerimajn që merr këtë dekoratë të lartë nga numri 1 i shtetit pikërisht për rezultatin e arritur në kampionatin e fundit Europian që u zhvillua në Turqi dhe ku ai zuri vendin e parë duke u shpallur më i miri i kontinentit. Presidenti Topi në momentin e dhënies së titullit të lartë është shprehur: “Shqipëria tashmë ka edhe një krenari më tepër për vetë, pikërisht Erkandin. Dhe ajo që është më e bukura, suksesi i këtij sportisti të talentuar vjen në 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë”. Nga ana e tij edhe Qerimaj është shprehur i entuziasmuar në lidhje me këtë titull të marrë dhe ka premtuar të bëjë më të mirën edhe në të ardhmen prandaj ka thënë: “Këto vlerësime që po më bëjnë krerët më të lartë të shtetit, tifozët e thjeshtë dhe gjithë shqiptarët, më nxisin të punoj edhe më shumë në të ardhmen për ta nderuar sërish Shqipërinë në arenën ndërkombëtare”.

www.shkodrasport.com