Nga sot sportistët elitarë shqiptarë, të shpallur kampionë në kompeticione ndërkombëtare Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri si dhe tre kampionet nga Kosova, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të mbajnë gradën honorifike “Kolonel” në Forcat e Armatosura shqiptare.

Bashkë me titullin ata do të përfitojnë dhe pagën e një koloneli deri në daljen në pension. Në një ceremoni zyrtare u bë dorëzimi i gradave.

Për kryeministrin ky është një premtim i mbajtur që do të kthehet në një normë falë dhe ndryshimeve ligjore, për të gjithë sportistët që do të ngrenë flamurin shqiptar duke merituar medalje në përballjet ndërkombëtare.

“Nga sot mund ti shikojmë në sy kampionët pa e ulur kokën nga sekëlldia për të mos thënë turpi për harresën e tyre”, u shpreh Rama.

Rama nuk heq dorë nga krahasimi me çfarë ishte dhe si është mbështetja për sportin dhe kampionët tani nën qeverisjen e tij 10-vjeçare.

“Për shumë e shumë vite ata ikën nga Shqipëria. E bënë këtë për të pasur mundësi të përfaqësohen. Kjo është një histori turpi që tanimë i përket të shkuarës”, tha ai.

Dhënia e gradës kolonel edhe për sportistët nga Kosova që kanë dhe pasaportë shqiptare për kryeministrin e bën vlerë të shtuar për sportin shqiptar.