Erkand Qerimaj dhe 9 sportistë të tjera, test antidopingu
Ditën e enjte kanë mbërritur në Tiranë drejtues të Organizatës Rajonale të Antidopingut për të zhvilluar disa kontrolle antidopingu me disa nga sportistë më të mirë të vendit tonë. Jo më kot janë zgjedhur sportistët më të mirë, ata që konkurrojnë edhe në arenën ndërkombëtare dhe kanë patur suksese. Bëhet fjalë për peshëngritës, mundës dhe atletë. Numrin më të madh të të kontrolluarve e ka patur sporti i peshëngritjes me 6 të tillë ndër të cilët ka qenë edhe shkodrani Erkand Qerimaj. Përgjigjet për këto kontrolle do vijnë në Shqipëri pas 10 ditësh. Në fakt, kohët e fundit ka patur jo pak debate në lidhje me këtë çështje teksa Shqipëria ka qenë në prag të përjashtimit nga Lojërat e ardhshme Olimpike vetëm ngaqë nuk bënte kontrolle antidopingu. Rastet e sportistëve tanë të konstatuar si përdorues dopingu kanë qenë të rralla megjithëse gjithnjë ka dyshime për këtë. Madje edhe brenda vetë sportistëve kanë qarkulluar fjalë për këtë gjë dhe tashmë duhen pritur vendimet e ëADA-s për të parë nëse ndonjëri nga 10 sportistët e kontrolluar do dalë pozitiv apo jo.