Peshëngritësi shkodran nuk ka arritur dot të marrë ndonjë medalje në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka qenë shumë pranë saj në stilin e shkëputjes ku është renditur i katërti ndërsa në atë të shtytjes gjërat nuk i kanë shkuar ashtu si duhet teksa ka zënë vendin e nëntë ndërsa në dygarësh dhe me 342 kg në dygarësh është renditur në vendin e gjashtë në Botë. Një rezultat përgjithësisht i mirë por që me pak kujdes, duhej të kishte qenë edhe më i mirë. Sidomos në stilin e shkëputjes gjërat kanë shkuar thuajse në mënyrë perfekte dhe me 155 kg ai zuri vendin e katërt.

Mosngjitja dot në podium në stilin e shkëputjes por renditja vetëm në vendin e katërt, e motivoi edhe më shumë Erkand Qerimaj në stilin e shtytjes për të qenë në podium dhe për të bërë që të këndohet himni shqiptar në mes të Amerikës. Forma e tij sportive ka qenë shumë e mirë dhe kjo është demostruar përgjatë gjithë kësaj periudhe edhe në stërvitje. Ai e nis provën e parë me 187 kg dhe e ngre me lehtësi dhe shumë i qetë. Në të dytën, duke parë edhe konkurrentët e tjerë deklaroi 191 kg por nuk arriti ta ngrejë. Kjo padyshim që e vuri disi në pozitë të vështirë për të kërkuar futjen në zonën e medaljeve në këtë stil megjithatë tentoi deri në fund. Edhe në provën e tretë ka patur sërish 191 kg por përsëri nuk arrin ta ngrejë dhe kësisoj kjo gjë do t’i kushtonte jo pak atij në renditjen përfundimtare ku zuri vendin e nëntë në këtë stil dhe të gjashtin në dygarësh.
© shkodrasport.com