Peshëngritësi Erkand Qerimaj, është një nga sportistët me më shumë medalje të fituara në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Sukseset e tij kanë nisur që në vitin 2002, kur Qermiaj ka fituar edhe medaljen e parë ndërkombëtare në Kampionatin Europian të të rinjve.
Mirëpo këto arritje, të shumta në gati 20 vite, kanë ardhur si rezultat i stërvitjes vetëmohuese të peshëngritësit, por edhe të një diete ushqimore të përzgjedhur.
Erkand Qerimaj ka qenë personazhi i ditës, në emisionin “Në shtëpinë tonë” në Top Channel, ku ka rrëfyer gjithçka lidhet me jetën e tij. Ndër të tjera ai ka folur edhe për dietën ushimore që ka përdorur dhe përdor vazhdimisht për të pasur sukses.
“Mundohem të ushqem me perime, peshkun, pulën, fruta, lëng frutash, pjesën tjetër janë suplemente, sepse nuk arrin të bësh 20 tonë ngarkesë dhe kaloritë t`i marësh të gjitha me ushqim”-është shprehur Erkand Qerimaj.
Në vijim të intervistës, ai ka folur edhe për mungesën e dietës specifike, që sipas tij kjo mungesë është si pasojë e mos pasjes së një mjeku në ekipin kombëtar.
“Në fakt ashtu duhet të jetë, që të kemi një dietë të caktuar nga doktori i ekipit. Por ne nuk kemi mjek, ndaj mundohemi t`i bëjmë të gjitha vetë. Me aq sa mundemi i realizojmë vetë.
Unë nuk e kam fiks të llogaritur se sa kalori më duhen në ditë, por shkon nga 10-12 mijë kalori në ditë, që duhet t`i marrim”-është shprehur ndër të tjera Erkand Qerimaj.
Aktualisht peshëngritësi i kombëtares shqiptare është në fazë përgatitore, për të qenë gati për Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që do të zhvillohet në Turkemenistan. Në këtë kampionat do të ketë një ndryshim të peshave, ku për herë të parë edhe sportistët shqiptarë do të garojnë në kategoritë e reja.
Ndërkohë trajneri i Erkand Qerimaj, duke folur për të njëjtin program televiziv, Zef Kovaçi, është shprehur edhe njëherë për problemet që ka peshëngritja shqiptare.
“Ne na vjen turp kur shkojmë në një kampionat jashtë vendit, duke filluar nga uniformat që i kemi ngjyra-ngjyra, që flamuri jonë kombëtar është me dy ngjyra ndërsa ne shkojmë me dhjetë ngjyra. Ne na vjen keq për këto peshëngritës, sepse janë niveli i lartë.
Unë e them me bindje dhe e kam deklaruar në emisione sportive, se një peshëngritës shqiptar që del në vendin e gjashtë në Europian është Kampion Europe. Një shqiptar që del në vend të tetë në Botëror, është Kampion Bote, me kushtet që punojnë këta”-ka thënë ndër të tjera Kovaçi./telesport/