Prej disa ditësh në Kolumbi ka nisur Kampionati Botëror i Peshëngritjes, që është edhe kompeticioni më madhor i këtij sporti për vitin 2022.

Në këtë event, Shqipëria do të përfaqësohej me dy sportistë, Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, por në Bogota ka udhëtuar vetëm shtërmenasi, pasi shkodrani ka rezultuar pozitiv me COVID në testin e bërë para nisjes.

Lajmin e ka njoftuar vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, ka deklaruar: “Një ditë para se të niseshim për në Kolumbi të gjithë bëmë testin e COVID-it, por Erkand Qerimaj ka dalë pozitiv, kështu që e ka humbur garën.

Rezultatin e testit ia kemi dërguar federatës botërore dhe kjo e fundit do t’i mundësojë një tjetër turne kualifikues për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, sepse pa prezencën në Botëror është shumë e vështirë të marrë pjesë në olimpiadë. Pra, do të marrë pjesë në këtë turne, në mënyrë që të ketë mundësinë për të siguruar pikë të vlefshme kualifikuese për olimpiadën. Bëhet fjalë për një event në Arabinë Saudite, ku do të përfaqësohemi me Qerimajn”, shprehet kreu i FSHP-së.

GJENDJA E CALJES – Më tej Gjoza flet për gjendjen e Briken Caljes, teksa fillimisht evidenton një vështirësi të hasur nga lartësia e Bogotës, qytet që ndodhet 2640 m mbi nivelin e detit.

“Gjendja e Briken Caljes është e mirë, edhe pse për shkak të lartësisë ka pasur fillimisht pak probleme me frymëmarrjen. Megjithatë, tashmë gjithçka është në rregull dhe sportisti është në formë të kënaqshme”, shprehet kreu i shtangës shqiptare.

Gjoza më pas konfirmon objektivat e deklaruar për këtë Botëror, për një vend në zonën e medaljeve: “Siç e kemi thënë, bëhet fjalë për një garë jashtëzakonisht të fortë, por ne pa diskutim do të bëjmë tonën. Shqipëria futet në Kampionatin Botëror për të fituar medalje”, përfundon Gjoza.

Briken Calja vjen në këtë kompeticion si kampion në fuqi i botës në stilin e shkëputjes, dhe nënkampion në shtytje e dygarësh.Ai do të garojë në Baterinë A për peshat 73 kg, teksa gara do të zhvillohet në orën 01:00 të mëngjesit të së shtunës me orën shqiptare.