Titulli Kampion Europe që mori pak ditë më parë në Turqi Erkand Qerimaj, është pasuar nga një titull tjetër, këtë herë jo të fituar. Këtë herë ka qenë Akademia e Shkencave ajo që ka nderuar me titullin e lartë “Nderi I Akademisë” shtangistin tashmë më të njohur shqiptar. Ceremonia për dhënien e këtij titulli është zhvilluar sot në Tiranë dhe sigurisht që pas marrjes së tij, vetë Qerimaj për gazetën është shprehur tepër I emocionuar kur ka thënë: “Ka qenë një tjetër kënaqësi e madhe për mua. Një dhuratë e bukur. Më kanë nderuar me titullin “Nderi I Akademisë së Shkencave” që mesa mora vesh, më përpara I ishte dhënë vetëm tre shqiptarëve dhe ata shkencëtarë të fushave të ndryshme por asnjëri sportist. Unë isha I pari ndër to. Të tjerë që e kishin marrë këtë titull të lartë, ishin të huaj shumë të njohur. Natyrisht që më erdhi mirë për një vlerësim të tillë dhe kjo më bëri edhe më të lumtur.


Pas pritjes fantastike që më bëri Shkodra, qyteti im të dielën, kjo ishte një tjetër surprizë. Ndjehem vërtetë I lumtur”. Siç bëhet e ditur, ka qenë rektori I Universitetit të Tiranës Dhori Kule ai që ka bëri propozimin për dhënien e këtij titulli, që më pas ka marrë edhe miratimin e Gudar Beqirajt dhe pjestarë të tjerë të Akademisë së Shkencave. Kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni edhe zëvendësministria e Arsimit Nora Malaj dhe figura të tjera të njohura si Anastas Angjeli, Luan Bregasi etj. Në ditët e ardhshme, me shumë siguri Erkand Qerimaj do marrë të tjera vlerësime dhe të tjera nderime sepse në fakt meriton gjithçka. Ai është I pari Kampion Europe në peshëngritje dhe I meriton të gjitha nderimet.

 

Gjergj KOLA

Pamje nga ceremonia e zhvilluar sot ne Akademine e Shkencave ku Erkand Qerimaj eshte nderuar me titullin “Nderi i Akademise”.