Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, dy kampionë Evrope tashmë të sprovuar, por dhe medalistë botëror, kanë qenë spektakli i Kupës së Shqipërisë në peshëngritje, një aktivitet që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të dy në peshën 81 kilogram, ndërsa ka qenë pesha më e shumëpritur për tifozët e peshëngritjes, aq sa përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Vladimir Gjonaj dhe Arjan Konomi, kanë qenë prezent në garën e këtyre dy peshëngritësve.
Në shkëputje e ka nisur mirë Calja me 151 kilogram. Kundërpërgjigjet Qerimaj me 152 kilogram. Janë të dy të suksesshëm në 155 kilogram. E më pas Qerimaj nuk realizon 158 kilogram, që është rekord kombëtar në shkëputje, kurse Calja e mbyll me rekord në shkëputje me 157 kilogram.
Në shtytje e nis Calja me 181 kilogram. Vijon Qerimaj me 184 kilogram. Calja 186 e Qerimaj 189. Në fund Calja nuk realizon 190, kurse Qerimaj është i saktë në 193 kilogram, që përsëri është rekord kombëtar, sikurse dhe dygarëshi 348 kilogram.
Ndërkohë fitues të tjerë për meshkuj ishin Erald Roshi në peshën 55 kilogram me 84 kilogram në dygarësh, Romario Avdiraj i Tiranës në peshën 61 kilogram me 244 kilogram në dygarësh, Edison Nela i Tiranës në peshën 67 kilogram me 270 kilogram në dygarësh dhe Arbër Çerçizaj në peshën 73 kilogram me 280 kilogram në dygarësh.
Në fakt Kupën e Shqipërisë e kanë nisur femrat, atje ku fituese ishin në peshën 45 kilogram Enkileida Carja e Dritan Kalemit me 86 kilogram në dygarësh, Valbona Gjoshi e Tiranës në peshën 49 kilogram me 104 kilogram në dygarësh, Ana Jovani e Skënderbeut në peshën 55 kilogram me 122 kilogram në dygarësh.
Po ashtu Marsela Carja e Dritan Kalemit në peshën 59 kilogra me 114 kilogram në dygarësh, Kleopatra Saliaj e Apolonisë në peshën 64 kilogram me 168 kilogram në dygarësh, Loreta Allmuça e Partizanit në peshën 71 kilogram me 85 kilogram në dygarësh, Arjeta Rade e Teutës në peshën 76 kilogram me 146 kilogram në dygarësh.
Fituesit vazhdojne me Amarda Çeka e Partizanit në peshën 81 kilogram me 102 kilogram në dygarësh dhe Besjana Kollozi e Tiranës në peshën 87 kilogram me 100 kilogram në dygarësh. Sportistja më e mirë, edhe sepse ishte rekordmene, ishte Kleopatra Saliaj, ndërsa skuadra fituese Partizani./Gjergj Vyshka Google News/