Peshengritësi shkodran Erkand Qerimaj do të tentojë të futet në zonën e medaljeve në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet gjatë këtij muaji në Vorklov të Polonisë. Premtimi ka ardhur nga vetë ky sportist i cili është duke u stërvitur prej disa ditësh në Athinë të Greqisë. Qerimaj ndodhet atje bashkë me trajnerin e tij Zef Kovaçi dhe është duke u stërvitur bashkë me kombëtaren greke të peshëngritjes. Kjo gjë është mundësuar falë dashamirësisë së presidentit të Federatës greke të peshëngritjes, të mirënjohurit Piro Dhima si dhe trajnerit të kësaj kombëtareje, shqiptarit tjetër Luan Shabani.
Stërvitja në Greqi ka patur të vetmin qëllim për të rritur parametrat fizikë të tij dhe deri në këto momente gjërat duken se shkojnë mirë. Objektivi i peshëngritësit shkodran për Botërorin e këtij viti është përmirësimi i rekordeve të peshës së tij por edhe futja në zonën e medaljeve. Kjo duket e vështirë por jo e pamundur sepse në stërvitje është duke u paraqitur mjaft mirë. Situata e Qerimajt tashmë duket krejt tjetër pas pezullimit 15 mujor që pat marrë si shkak i përdorimit të disa substancave të ndalura. Ai ka arritur ta kalojë me sukses atë periudhë dhe kërkon të rikthehet aty ku e la, pikërisht duke qenë një ndër sportistët më të suksesshëm të Europës dhe të Botës. Gara e Erkandit është më datë 26 tetor dhe pritet me shumë interes megjithatë ajo që duhet përmendur është se sërish nga ana e shtetit mungon mbështetja financiare si për këtë sportist ashtu edhe për sportistët e tjerë që kërkojnë t’i sjellin Shqipërisë medaljeve në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm botëror.
© shkodrasport.com