Peshëngritësi i talentuar shkodran Erkand Qerimaj është shpallur sonte kampion Europe në kampionatin Europian që është duke u zhvilluar në Turqi. Ai ka arritur t’i sfidojë të gjithë rivalët e tij duke treguar një performancë të shkëlqyer. Ka arritur të jetë i suksesshëm në stilin e shkëputjes teksa i ka realizuar të tri ngritjet me 153, 156 dhe 158 kg dhe me 1 kg më pak se rumuni Razvan Martin është renditur i dyti në këtë stil duke merituar medaljen e argjendtë. Por shpërthimi i Erkandit ka ardhur në stilin e shtytjes. Ai ka realizuar me sukses provën e parë me 187 kh duke siguruar zonën e medaljeve dhe me 190 kg në provën tjetër, ka arritur t’i sfidojë të gjithë në këtë peshë duke zënë vendin e parë dhe duke marrë medaljen e artë. Fakti që rumuni Martin ka ngritur dy kg më pak në këtë stil, i ka dhënë Qerimajt edhe vendin e parë në dygarësh dhe njëkohësisht medaljen e dytë të artë. Në këtë mënyrë, me dy medalje të arta dhe një të argjentë, peshëngritësi shkodran është shpallur KAMPION EUROPE në peshën 77kg. Shumë emocionuese pamjet e transmetuara nga ceremonia e dhënies së medaljeve të kësaj peshe teksa është ngritur flamuri shqiptar dhe në sytë e Erkandit janë parë lotë gëzimi. Pikërisht për këtë sukses, sigurisht që të gjithë ne i detyrohemi t’i themi këtij djali të Shkodrës FALEMINDERIT ERKAND, FALEMINDERIT KAMPION!

www.shkodrasport.com