Erkand Qerimaj do të kërkojë të shpallet sërish Kampion Europe në garat që do të nisin sot në Izrael. Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes nga Rinasi dhe në përbërje të tij është edhe shtangisti I talentuar shkodran. Në një intervistë të dhënë paradreken e sotme për gazetën www.shkodrasport.com, ai ka shprehur besimin e tij të plotë për një paraqitje shumë të mirë edhe në këtë kompeticion të rëndësishëm. “Forma ime sportive është shumë e mirë, për të mos thënë se është më e mira që kam patur ndonjëherë në karrierën time. Duke patur besim edhe tek Zoti dhe duke shpresuar tek një ecuri e mirë në garë, jam i bindur se kam për të dalë mirë në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm”- ka thënë ai.
Për Qerimajn pjesmarrja në Europianin e Izraelit është një mundësi për t’u rikthyer sërish si kampion. Emocionet pas pezullimit tashmë kanë kaluar dhe forma aktuale që ai gëzon, I jep shpresa për medalje edhe në këtë aktivitet, ashtu siç mund të shpresojnë për medalje edhe anëtarët e tjerë të kombëtares shqiptare. “Besoj se do të kemi një paraqitje të mirë të gjithë sportistëve të kombëtares sonë. Nga sa di unë, të gjithë gëzojnë formë të mirë dhe kjo është premtuese”- thotë kampioni shkodran.Erkand Qerimaj është shpallur Kampion Europe dy vite më parë por ky titull iu hoq pas rezultimit pozitiv në testin antidoping pas përdorimit të një vitamine të ndalur. Megjithatë, vendi I pestë në Botëror, mund të shoqërohet nga një tjetër sukses në këtë garë të ardhshme.
Gjergj KOLA