Në kontigjentin prej 18-futbollistësh të Vllaznia U-21 që ishin të pranishëm në seancën e parë stërvitore ditën e djeshme, është parë të jetë edhe ish-mbrojtësi kosovar i Kombëtares, Ermir Lenjani.
Drejtuesit shkodranë sqaruan për “Shkodra Sport” se, duke qenë se Lenjani po ndjek kursin e FSHF për trajner që po zhvillohet në Shkodër, ka kërkuar të jetë me grupin kuqeblu për të mbajtur formën sportive.
Së fundmi, ish-mbrojtësi i skuadrës së Grasshoppers nuk ka luajtur dhe nuk është stërvitur me asnjë ekip që në mbyllje të sezonit, teksa tashmë ai është duke bërë stërvitje intensive në Shkodër me ekipin e Vllaznia U-21.
Në fakt ditën e djeshme, Lenjani u pa se është në një formë mjaft të mirë fizike dhe shumë shpejt do të vijojë edhe karrierën e tij në Turqi, atje ku ka firmosur me Umraniyespor. Për Kombëtaren kuqezi që nga viti 2013, Lenjani ka shënuar katër gola në 40-paraqitje.
Maringlen ZHIVANI