Ermir Rashica do të largohet në fund të muajit, por për aq kohë sa do të jetë pjesë e Skënderbeut, do të japë kontributin e tij. Vazhdon të bëjë atë që di më mirë, të shënojë dhe të mbajë gjallë shpresat e korçarëve për mbijetesë.

Pas ndeshjes me Dinamos, për “Panorama Sport” ai u shpreh: “Të them të drejtën, ndeshja jonë ishte shumë e mirë, ishim që në fillim të vëmendshëm. Bëmë një gabim dhe pësuam golin, por kështu është futbolli.

Duhet të mos e ulim kokën. Për momentin, çdo pikë është e rëndësishme, sepse jemi në vend të fundit. Besoj se do të ngrihemi, pasi ka shumë përmirësime dhe me trajnerin e ri po punojmë shumë.

Edhe pa mua Skënderbeu do të mbijetojë, pasi ka kualitet në ekip. Nuk varet nga një lojtar apo dy, sepse të gjithë janë të rëndësishëm”, u shpreh fillimisht ylli i korçarëve.

Më tej, ai komentoi edhe ndeshjen e Kupës po me Dinamon dhe atë me Laçin në kampionat: “Do të shohim gabimet tona për këtë ndeshje dhe do të vazhdojmë vetëm për të fituar. Stërvitemi dita-ditës që të përmirësohemi sa më shumë. Besoj se Skënderbeu do të ngrihet lart, aty ku e ka vendin”.