Nga Skënderbeu te zgjedhja e ngjyrave kuqezi të Kombëtares shqiptare. Ermir Rashica po kalon momentin e tij më të mirë që prej transferimit nga Trepça ’89 te korçarët në verën e këtij viti. Dje 19-vjeçari është grumbulluar zyrtarisht nga trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, për ndeshjet që kuqezinjtë do të luajnë më 17 dhe 21 nëntor ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi.

Rashica ka luajtur më parë 6 herë me Kombëtaren U-19 të Kosovës, duke shënuar edhe një gol. Ndeshjen e tij të fundit me Kosovën U-19 e luajti në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë këtij sezoni me fanellën e Skënderbeut ka luajtur në 12 ndeshje, duke shënuar një gol dhe dhënë 3 asiste. Për sulmuesin që mund të përshtatet nga krahët, por edhe në qendër të këtij reparti, ftesa nga Shqipëria ka qenë një plotësim i ëndrrës për të veshur fanellën kuqezi.

I riu nga Mitrovica, në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, tregoi emocionet e para të këtij grumbullimi dhe pritshmëritë që ka për të ardhmen. “Sigurisht që të luash për flamurin kuqezi është krenari.

Diçka që të mbush dhe të fal emocion të jashtëzakonshëm. Jam i lumtur që mbërriti kjo ftesë dhe nuk kisha se si të mos e pëlqeja. Është një ëndërr, e cila është bërë realitet. Jam befasuar kur kam marrë ftesën, por nga ana tjetër e kam pasur objektiv në vetvete. Zgjodha ngjyrat e kombit dhe kjo më bën më shumë krenar dhe të lumtur. Shpresoj që të më shkojë mbarë dhe të rritem akoma edhe më shumë nga ky grumbullim”, ka thënë fillimisht sulmuesi kosovar.