Vllaznia ka arritur të fitojë ndeshjen delikate kundër Lushnjës, duke marrë pikë jetike ndaj vendit të fundit. Trajneri Ernest Gjoka për “Supersport” u shpreh shumë i lumtur për rezultatin e arritur në këtë takim, megjithëse shqetësohet nga shpërdorimi i rasteve të panumërta nga Vllaznia.
Fitorja ndaj Lushnjës
“Kjo fitore ishte mjaft e rëndësishme për ne, pasi rikthehemi në “Loro Boriçi” pas rreth 1 muaji mungesë, por edhe për shkak të rezultateve negative të koleksionuara kohët e fundit. Më vjen mirë që skuadra u impenjua dhe krijoi shumë, por duhet të punojmë, që të mos e komplikojmë sfidën siç bëm në ndeshjen e sotme”.
Mungesa e finalizimit
“Edhe sot, ashtu si në takimet e fundit, krijuam shumë, por shfrytëzuam shumë pak. Duhet të përmirësohemi dhe të arrijmë të shënojmë gola si ekip, jo t’i presim nga individët zgjidhjet gjithmonë”.
Ndeshja e rradhës kundër Luftëtarit
“Duam fitoren edhe me Luftëtarin, madje edhe në takimet në vijim, sepse duam të largojmë krizën. Hasanin e larguam sot për të mos e rrezikuar për sfidën ndaj gjirokastritëve, ndërsa besoj se edhe Gocaj do të jetë i gatshëm. Kemi një ngërç psikologjik, të cilin e treguam edhe sot me rastet e shpërdoruar, por besoj se nëse koleksionojmë 3-4 rezultate pozitive radhazi mund të dalim nga kjo situatë”.
© shkodrasport.com