Humbjet e fundit nuk kanë krijuar një situatë të mirë tek Vllaznia megjithatë trajneri i saj Ernest Gjoka është i mendimit se skuadra ka forca për të dalë nga kjo situatë. Duke u ndalur konkretisht tek takimi i nesërm ndaj Tiranës për kupë, pavarësisht rezultatit jo shumë të favorshëm të arritur në ndeshjen e parë, numri 1 i pankinës shkodrane është i mendimit se duhet tentuar përmbysja dhe kualifikimi për në turin tjetër të këtij kompeticioni. Skuadra në fakt ka probleme edhe me dëmtimet e disa futbollistëve megjithatë do provohet gjithçka.

Ja intervista e plotë e dhënë nga Gjoka për faqen zyrtare të klubit në këtë pragndeshje”
– Profesor, si është situata në skuadër në prag të ndeshjes me Tiranën?
Situata sigurisht nuk është më e mira e mundshme dhe prej vetë rezultateve që kemi, por po mundohemi që të ruajmë qetësinë për të parë përpara dhe në prag të ndeshjes së Kupës, jemi në një moment jo të mirë sa i takon pjesës së lojtarëve sepse kemi shumë dëmtime dhe sidomos në repartin më problematik, siç është mbrojtja.
-Kush është i pamundur për këtë takim?
-Kemi dëmtime si Pjeshka e Bardulla që na mungon edhe në Vlorë por atyre u janë shtuar edhe Marku e Atsina të cilët u dëmtuan në ndeshjen me Flamurtarin.
– Me çfarë objektivi do futet skuadra në fushë?
Ne do të hyjmë në fushë për të kërkuar gjithçka, edhe pse është e vështirë. Ne do të mundohemi të bëjmë gjithçka për kualifikimin.
-Kundërshtari vjen i motivuar për kualifikim, si do ta përballoni?
Sigurisht që kundërshtari vjen i qetë për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të arritur qëllimin dhe pse nuk është e lehtë. Por ne do ta kërkojmë deri në fund rezultatin.
-Për t’u kualifikuar, Vllaznisë i duhet të shënojë tre gola dhe të mos pësojë. Si do ia dilni?
E kuptoj që duhen tre gola dhe jam i qartë për shkallën e vështirësisë por ne do ta provojmë dhe kjo është dëshira e të gjithë skuadrës për të kërkuar fitoren.
-Formacioni, a do të ketë ndryshime për këtë ndeshje?
Kemi ndryshim në mbrojtje për shkak të dëmtimeve dhe ndoshta mund të lëmë në stol një nga mesfushorët për t’i dhënë pak oksigjen dhe për fundjavë ku na pret një ndeshje akoma edhe më e rëndësishme, ajo për kampionat me Kamzën.vllaznia.al