Gjashtë javë nga fundi i sezonit, shumë pikëpyetje janë hequr por shumë të tjera qëndrojnë. Kategoria Superiore pret thjesht zyrtarizimin e kampiones ndërsa beteja mbetet e ashpër për zonën europiane dhe atë “play-out”. Ernest Gjoka, njohës i mirë i futbollit shqiptar si ish-trajner në disa skuadra, e pranon që ky sezon po konfirmon pritshmëritë por ka edhe disa surpriza.

“Në start të kampionatit, për mendimin tim kanë qënë disa skuadra pretendente: Tirana, Vllaznia, Laçi por edhe Partizani, pasi sezonin e kaluar dha shenja se ishte për titull, për një ndeshje e humbi. Tirana me meritë është aty ku është, Laçi sigurisht ështënë rregull me objektivat që ka. Jashtë parashikimeve është Partizani. Por një nga çuditë më të mëdha, mendoj se është dhe mendimi i të gjithëve, është Dinamo. Mesa duket diçka nuk funksionoi aty brenda dhe gjithçka u prish”.

Tirana sigurisht është skuadra që ka bindur më shumë se të tjerët dhe vendimtarë në këtë skuadër sipas Gjokës nuk është një, por janë dy emra.“Këtë vit kanë qënë më ndryshe, më të organizuar, presidenca ka arritur pjekjen maksimale nga ana profesionale. I dhanë mundësinë vjet Shehit të ndërtonte një skuadër. Sivjet ia zbukuruan edhe më shumë me disa lojtarë cilësorë. Është Xhixha me Seferin, por të mos harrojmë Totre. Nuk i ndaj dot lojtarët e sulmit, Totren dhe Vesel Limajn. Këta janë një katërshe që kanë dhënë një frymë ndryshe në kampionatin shqiptar”.

Vllaznia është një nga skuadrat në garë për një vend në Europë por ndeyshe nga një sezon më parë skuadra shkodrane ka ndryshuar edhe pse Gjoka nuk e konsideron një sezon të dështuar.

“Kanë mundësinë të rregullojnë gjithçka që kanë bërë jo mirë, të fitojnë Kupën. Sigurisht që nuk është e lehtë, por kështu nuk do të quhet kampionat i dështuar”.

Gjoka e festoi titullin kampion me Kukësin në “Zeqir Ymerin” e vjetër por këtë fundjavë, verilindorët hapën dyert e stadiumit të ri dhe trajneri e pranon që investimi i bërë do t’i shërbejë shumë skuadrës në të ardhmen.

“Sigurisht që është një emocion i madh, mendoj se e meriton ai qytet, është dashamirës, e don sportin. Por është një meritë e atij qyteti dhe nga ana e zotit Gjici, ka dhënë gjithçka për Kukësin, për skuadrën. E ka shëndërruar Kukësin në një skuadër elitare të futbollit shqiptar dhe që ta bëjë një skuadër europiane ka ngelur dhe etapa e fundit, të bëjë qendrën stërvitore”.

Skënderbeu pothuajse në të parën është një lajm i keq për futbollin shqiptar. “Të shpresojmë që etapa e dytë për Skënderbeun është falja nga UEFA dhe etapa e tretë, të ndërtohet edhe njëherë një Skënderbe i dekadës së fundit”.