Ernest Gjoka është zyrtarisht trajneri i Kamzës dhe zyrtarizimi i tij u bë gjatë mbrëmjes së djeshme në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”. Megjithëse nga të gjithë pritej që të zyrtarizohej një trajner italian, gjithçka ka ndryshuar në orët e fundit me Gjokën që merr sot drejtimin e skuadrës.
Në një prononcim për “VipSport.al”, tekniku Gjoka ka zbuluar edhe arsyen që e bindi të firmoste në Kamëz, ndërkohë që tregon problemi më të madh që ka Kamza në këto momente.
“Çfarë iu bindi të firmosnit me Kamzën?
Kjo është puna jonë, të shkojmë dhe të bëjmë gjithmonë më të mirën e mundshme. Qe një bisedë shumë e gjatë dje me presidentin Qarri i cili kishte dëshirë që unë të shkoja tek ekipi i tij dhe sigurisht që unë pranova për këtë sfidë të vështirë në të cilën ndodhet Kamza për momentin.
Problemi i Kamzës?
Sot do të filloj dhe do të flasim të gjithë bashkë si presidenti e futbollistët, edhe ne si staf për të ndryshuar këtë situate. Mendoj se më shumë, ekipi është ngarkuar psikologjikisht dhe nga këtu do të fillojë puna jonë. Kam besim te cilësitë individuale të ekipit”, u shpreh tekniku Gjoka./vipsport/