Trajneri i ri i Vllaznisë Ernest Gjoka që në momentin e mbërritjes në Shkodër jo vetëm është fokusuar tek puna me ekipin e parë të Vllaznisë por ka shkuar edhe më tej. Ai ka patur disa kontakte dhe biseda edhe me trajnerit e ekipit B Ervis Kraja, me trajnerin e ekipit U-19 Luan Zmijani apo dhe përgjegjësin teknik të Akademisë Alban Neziri.

Ideja ka qenë që të informohet për elementet e tjerë që ai mund të vëzhgojë dhe t’i ketë në vëmendje për të ardhmen sepse mund t’i shërbejnë tek ekipi i parë. Dhe në fakt të parin duket se e ka gjetur. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë të ekipit U-19, Senad Hysenajn. Ky lojtar ka tre ditë që i është bashkuar në stërvitje ekipit të parë dhe nga sa merret vesh, ka lënë përshtypje shumë të mira tek trajneri Gjoka dhe stafi i tij.

 

Vllaznia në fakt ka nevojë për një mbrojtës të majtë sepse i gatshëm për këtë pozicion është vetëm Antonio Marku. Ende nuk dihet nëse Hysenaj do të vazhdojë të jetë në stërvitje me ekipin e parë apo do të rikthehet tek ekipi U-19 për të vazhduar aktivizimin me të. Ky lojtar sapo ka mbushur 18 vjeç dhe konsiderohet me shumë të ardhme.

© shkodrasport.com