Tek Veleçiku sivjet duket se gjërat po shkojnë mirë. Frika e “prishjes” së
ekipit tashmë që ai është ngjitur në kategorinë e parë, ashtu siç ka ndodhur edhe më përpara, tashmë ka rënë.

Ecuria në javët e para të kampionatit ka qenë e mirë. Ekipi ka arritur dy fitore ndërkohë që në tre ndeshje të tjera ndonëse është mundur, ka luajtur si i barabartë me ekipet më të forta të grupit.

Trajneri Besnik Duli ka arritur të ndërtojë një ekip ku ka një gërshetim të mirë të elementit me përvojë, me elementin e ri.

Një nga pikat më të forta të koplikasve është padyshim mbrojtësi i qendrës Ersi Lami. Shtatëlarti që spikat edhe me pamjen e tij të jashtme është një element shumë i rëndësishëm i prapavijës të Veleçikut.

Shumë i saktë në lojën në ajër, por edhe më këmbë tregon se mund të luajë mirë, pavarësisht gjatësisë trupore.

Ersi Lami, i datëlindjes 10.09.1992, ka luajtur me disa skuadra gjatë karrierës së tij. Së fundi, luan me Veleçikun për të dytin sezon me rradhë ndërkohë që më përpara ka luajtur edhe me Burrelin.

Bashkë me kapitenin Besard Çokaj por edhe me Izmir Balajn, kanë krijuar qëndrueshmëri në qendër të mbrojtjes së koplikasve dhe me këtë ecuri, ata premtojnë që ekipi do të arrijë objektivin që ka për këtë sezon.
© shkodrasport.com