Futbollisti 17 vjeçar Ersid Heboja që është pjesë e ekipit Shkodran 2006, është duke u stërvitur prej disa ditësh tek ekipi italian i Veronas. Ai është pëlqyer nga drejtuesit e këtij ekipi në turneun “Citta della pace” që u zhvillua muajin e kaluar në Itali, turne në të cilin ekipi shkodran ka zënë vendin e parë duke merituar edhe kupën e vënë nga organizatorët. Pikërisht në këtë turne, Hebovija ka spikatur me lojën e tij dhe kjo e ka ndihmuar atë të bjerë në sytë e drejtuesve të këtij ekipi. Aktualisht ai është duke u stërvitur me Veronan dhe në ditët e ardhshme do shihet mundësia e firmosjes së ndonjë kontrate apo marrëveshjeve të tjera.
Por përveç Hebovijës, në sytë e këtyre trajnerëve dhe menaxherëve italianë kanë rënë edhe dy futbollistë të tjerë të ekipit Shkodra 2006, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për momentin. Sigurisht që do shihet ecuria e Hebovijës njëherë dhe nëse italianët binden se ky lojtar ka vlera atëherë mund të negociojnë edhe për këta dy futbollistët e tjerë. Sigurisht që këto janë lajme të mira që vijnë për ekipin shkodran që drejtohet nga trajneri Ervin Dhambi por që deri para pak kohësh ka patur si drejtues Elis Legatën. Një tjetër lajm i mirë që vjen për Shkodra 2006 është edhe ai mundësisë së binjakëzimit të këtij ekipi me atë Alas në Itali. Me këtë çështje, është duke u marrë Luan Guri, njeriu që mundësoi pjesmarrjen e ekipit shkodran edhe në turneun e para disa kohëve më parë.
Gjergj KOLA