Gazetari Ervin Baku ka qenë i ftuar në emisionin “Mcn Informacion” ku ka folur për eventin gala ku u ndanë çmimet për “Më të mirët e 2024” si dhe kombëtaren shqiptare të futbollit, por edhe për disa tema të tjera që kanë të bëjnë me sportin në vendin tonë.
“Në përgjithësi jam dakord me çmimet e ndara, të merituara. Te formacioni i vitit do të vendosja Tedi Carën, për të tjerat isha shumë në rregull, ku formacioni i vitit dominohej nga futbollistë të Egnatias. ‘Topi i Artë’ shumë i merituar për Bekim Balajn, që është një shembull për fëmijët në Shqipëri. Ne presim që një seleksionues të zgjedhë më të mirët. Kam besim, grupi është shumë i vështirë. E nisim në Londër kundër Anglisë. Silvinjo duhet t’i kthej sytë edhe te lojtarë të tjerë, e kam për Rocco Vatën, Grudën, Shpendi në Serinë B, dhe Uzuni të jetë titullar i padiskutueshëm”.
Baku tha se pret shumë nga Kombëtarja.
“Presim rezultate të mira nga kombëtarja. Kemi besim. Unë dua si gazetar dhe tifoz që Uzuni të jetë pjesë e skuadrës. Së bashku me Brojën bëjnë një dyshe fantastike”.
Duke u ndalur te Kampionati, Baku tha se katër janë skuadrat që kanë potencial.
“Kjo formulë e gabuar duhet të ndryshohet sa më shpejt. E shikoj të katërta të afta të fitojnë kampionatin. Prandaj kjo formulë që hedh në erë gjithë sezonin duhet të ndryshojë. I shikoj të katërta të afta që potencialisht të fitojnë kampionatin. Si i lindur dhe rritur në Tiranë, dua që Tirana të jetë më e mira”.
Ndërsa në lidhje me financimin e sportit, ai tha se janë dy ligjet që mund t’i japin atij oksigjen.
“Vullnet nuk ka fare, ka vetëm propagandë. Është turp i madh, sportistët janë kthyer në lypsarë. Nuk e di pse nuk legalizohen bastet sportive. Bastet nuk u mbyllën kurrë. Është turp që nuk legalizohet dhe sporti të përfitojë financiarisht. Janë dy pika që duhet të bëhen sa më shpejt: ligji i sponsorizimit, që do t’i jepte oksigjen sportit, dhe legalizimi i basteve, që një pjesë t’i shkojë sportit. Të bëhet sic ka qenë. Ligji ishte shumë i mirë, pse e ndryshuan?”