Tashmë thuajse në të gjitha mediat shqiptare është publikuar lajmi se trajneri i ri i kombëtares tonë do të jetë braziliani Sylvinho. Opinioni duket se është ndarë më dysh për këtë gjë. Njëri që është shprehur kundër, është pikërisht gazetari i njohur Ervin Baku.

Gjatë një lidhje në edicionin e lajmeve në MCN TV ai tha se i ka lënë një shije të hidhur zgjedhja e Sylvinho si trajner i kombëtares shqiptare të futbollit. Baku vuri në dukje se braziliani nuk ka eksperienca të gjata si trajner i parë, duke u shprehur se Shqipëria po përdoret si autoshkollë.

“Duhet të presim zyrtarizimin e trajnerit, sepse nuk është zyrtarizuar ende nga Presidenti Duka dhe FSHF. Më lë shije të keqe kjo zgjedhje sepse s’kemi lidhje me futbollin brazilian. Ka qenë zv.trajner me Titen në Brazil dhe si trajner i parë ka eksperienca disa mujore në Lyon dhe Corinthians. Më vjen keq që Shqipëria përdoret si autoshkollë për t’u mësuar zanatin këtyre trajnerëve.

Ndërkohë që kemi grupin më të mirë që ka pasur Shqipëria në histori dhe mund të ishte bërë një sakrificë financiare për të gjetur një trajner si duhet. Investimi të kthehet mbrapsht 3-4 fish. Urojmë të jem i gabuar dhe ky t’i fitoj të gjitha ndeshjet dhe të na çojë në Europian. Ne e kemi eksperiencën me zëvendësin, kemi pasur Panuçin, që vetëm trajner nuk ishte, ka qenë zëvendës i Capello-s, ndërsa Sylvinho i Tites.

Nëse do ishte zgjedhja ime mes Rejas dhe Sylvinho do merrja Rejan edhe një herë. Sylvinho ka qenë futbollist shumë i mirë, një mbrojtës i majtë shumë i mirë, për është tjetër të jesh futbollist i mirë dhe tjetër të jesh trajner i mirë. Me këto të dhëna që ka Silvinio i bie që Shqipëria të jetë autoshkollë!

Baku thotë se enda ka një kompleks inferioriteti ndaj trajnerëve të huaj, duke shtuar se Ilir Daja do të kishte qenë një zgjedhje një qind herë më e mirë.

Do ta bënte një qind herë më mirë se ky që është caktuar, Ilir Daja. S’kemi pse kërkojmë gjurmët, kur kemi ujkun. ‘Ujku’ në këtë rast do ishte Ilir Daja. Është një kompleks inferioriteti te të huajit, ndërkohë që kemi vendas që mund ta bëjnë shumë herë më mirë punën. Kombëtarja ka nevojë për frymë dhe energji pozitive, të bëhet një familje e vërtetë, ta ndjej flamurin dhe fanellën.

Me këtë miell që kemi ne sot një trajner i zot bën një bukë fantastike. A do ta bëjë ky? Urojmë! Me këtë grup dhe atë short që kemi, kemi të gjitha mundësitë të shkojmë në Gjermani në 2024-ën, në Kampionatin e ardhshëm Europian. Do të vazhdojmë ta mbështesim edhe këtë trajner nëse zyrtarizohet, edhe kombëtaren”- është shprehur Baku.