Ardhja e tre basketbollistëve amerikanë tek Vllaznia pritet të shoqërohet edhe me ndonjë tjetër. Drejtuesit e ekipit kanë përmendur edhe emrat e dy shkodranëve, Herion Faslisë dhe Ervin Berdicës.
Ky i fundit këtë sezon është duke luajtur me ekipin “Invaders” aktualisht dhe duket se ende nuk e ka vendosur nëse do të rikthehet tek Vllaznia apo jo.
Dëshirën e ka, por është një pengesë që nuk e bën të mundur një gjë të tillë për momentin. I kontaktuar nga “Shkodra Sport”, ish- kapiteni i kuqebluve shprehet: “Po, është e vërtetë se më kanë kontaktuar drejtuesit e rinj të Vllaznisë dhe kanë shprehur dëshirën që unë të jem përsëri pjesë e kësaj skuadre.
Të them të drejtën edhe unë kam dëshirë të kthehem tek skuadra ime e zemrës, për më tepër tani që shoh se ka një projekt serioz megjithatë kjo nuk është në dorën time.
Unë kam një kontratë me ekipin “Invaders” dhe e vetmja mënyrë për t’u larguar prej aty është që të ketë një marrëveshje në mes presidentit të Vllaznisë dhe atij të ekipit tim aktual.
Vetëm nëse arrihet kjo, mund të realizohet kjo lëvizje. Në rast të kundërt, unë nuk mund ta braktisë ekipin aktual që më ka pritur mirë dhe më kanë respektuar maksimalisht”.
© shkodrasport.com