Vllaznia ka hyrë me pretendime të tjera në kampionatin actual të basketbollit për meshkuj. Nëse vitet e tjera ajo thjesht ka kërkuar të jetë në katër ekipet më të mira të kampionatit, sivjet ajo do kërkojë diçka më tepër. Pse jo edhe titullin kampion. Edhe skuadra shkodrane si disa të tjera, ka hyrë në merkato duke marrë disa lojtarë cilësorë falë kontributit financiar të disa donatorëve. Ardhja e Kovaç, Markovskit dhe Dragiçeviç e ka rritur forcën e kësaj skuadre dhe kjo u pa qartë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Shoqatës Tirana. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, njëri prej lojtarëve më të mirë të Vllaznisë, Ervin Berdica do të shprehej:
“Besoj se është rritur shumë niveli i basketbollit shqiptar e jo më kot kanë filluar të kthehen edhe tifozët në pallatet e sportit. Ndeshjen e fundit me Shoqatën Tirana nuk prisnim ta fitonim kaq lehtë. Për më tepër që takimi nisi më mirë për kundërshtarin që kaloi deri në 12 pikë përpara. Nisja jo e mirë që i bëmë ndeshjes ndoshta erdhi edhe ngaqë kishim emocione. Në pallatin e sportit kishte shumë tifozë dhe unë personalisht e pata të vështirë të ambjentohesha. Nuk kisha parë aq shumë tifozë që në vitin 2007 kur patëm dalë në finale të kampionatit”. Në valle për titulin kampion duken 5 skuadra dhe kjo e ka shtuar rivalitetin duke e bërë kampionatin më të bukur. Këtë mendim ka edhe Berdica kur shton: “Ky është kampionati më i bukur i këtyre viteve të fundit, ka rivalitet në mes 4-5 ekipeve megjithatë Kamza Basket është ekipi për t’u mundur. Ajo mori kupën dhe superkupën dhe tashmë duhet të shohim se çfarë do të ndodhë në kampionat”. Vllaznia do jetë njëra nga ato, kjo nuk ka as më të voglin dyshim. Marrja e tre futbollistëve të huaj, ia ka arritur forcën. Këtë e pranon edhe Berdica që madje thotë se forma e tyre do vijë duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. “Tre lojtarët e ardhur së fundi në skuadër, kanë rritur forcën e skuadrës. Mbi të gjitha më pëlqen serbi Kovaç që është i gjatë 2.08 metra por edhe dy të tjerët kanë elementë të mirë por kanë patur një problem se nuk kanë ardhur në formën më të mirë fizike”-ka thënë ai. Megjithatë tre të huajt nuk mjaftojnë. Bashkë me ta janë edhe Berdica, Taraboshi, Ndoja etj por edhe më të rinjtë. Stafi drejtues ka arritur t’I kordinojë mirë punët dhe këtë gjë e këtë fakt e vlerëson edhe vetë njëri prej titullarëve të kësaj skuadre Ervin Berdica që në fund të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Trajnerët Gjeçaj e Zaganjori kanë arritur të gërshetojnë elementin e ri me atë me përvojë. Po luajnë edhe dy basketbollistët e rinj, Shestani e Bekteshi dhe po kontribuojnë edhe ato. Ka elementë të mirë dhe besoj se do vijnë duke u rritur.Deri në finale jam i bindur se do të shkojmë. Sigurisht që duke qëndruar me këmbë në tokë megjithatë të mos nxitohemi. Ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një. Kam bindje se edhe finalja e kampionatit do të jetë sërish Kamza Basket- Vllaznia. Këtë herë, pse jo edhe me pak fat, mund të jemi edhe ne kampionë megjithatë të mos mendojmë aq larg. E rëndësishme është që Vllaznia në basketboll ka rikthyer sërish tifozët në pallatin e sportit”.
Gjergj KOLA