Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj, ka komentuar humbjen e Shqipërisë përballë Ukrainës si një rrjedhojë të pandryshueshmërisë të mënyrës me të cilën luajnë kuqezinjtë nën drejtimin e Silvinjos. Ai mendon se të gjithë kanë kuptuar si luajnë kuqezinjtë dhe mungesa e një plani B tashmë është e dukshme dhe po sjell pasoja, ashtu si zgjedhjet e gabuara të trajnerit.

“Besoj se duhet të nxjerrim gabimet sidomos në logjikën e të luajturit. Është e kollajtë të mbash e kesh një lojë standard gjithë kohës. Por sot të gjithë kundërshtarët të studiojnë dhe loja jonë është e ezauruar. Mënyra se si kemi ardhur deri këtu është kuptuar, kemi nevojë për impulse të reja. Pjesa e parë ishte ndoshta më e dobët, unë do thosha që në ndeshjen me Çekinë na mbrojtën shtyllat, sot nuk ishin me ne. E njëjta tablo, skuadër apatike, sidomos tranzicioni negativ, skuadër inekzistente në pritje edhe pse në mbrojtje, pa agresivitet. Duke parë e vëzhguar, pa presuar. Edhe pse duhet thënë që ishte kundërshtar me cilësi, ua bëmë më të lehtë punën, duke i dhënë hapësira e duke qenë gjithë kohës pasiv.

Pjesa e dytë tregoi se kemi mundësi e resurse, kemi mundësi të ndryshojmë lojën, të përdorim befasinë, jo të jemi standart në mënyrën që e kanë mësuar të gjithë. Hyrja e Uzunit pati goxha impakt pozitiv. Ndryshim taktik i të luajturit. Mendoj se dha shenja pozitive edhe pse me vonese, se pas 2-0 të kthesh rezultat ndaj një skuadre si Ukraina me shumë cilësi e kualitet, në fund shihet rezultati.

Përfunduam në vend të fundit, edhe pse skuadrat ishin aty-aty. Por ashti si kemi thënë që nuk kemi luajtur në nivelin e duhur por kemi marrë rezultate, rezultati të jep të drejtë në futboll. Dhe tani, duhet t’i japë shumë pikëpyetje trajnerit Silvinjo se mënyra e të luajtur duhet të ketë impakte të tjera, është e pamundur të marrësh rezultat vetëm me një mënyrë loje.

Ishte shumë e rrezikshme për të marrë atë vendim që mori trajneri për Asanin, se e futi nga minuta e parë edhe pasi nuk u stërvit dhe u dëmtua. Përveçse fut lojtarin në rrezik, krijon mosbesim te pjesa tjetër që kërkon shans për të luajtur. Doli e gabuar kjo zgjedhje e trajnerit. Por ne konstatojmë, ai është trajneri dhe ndaj është aty në pankinë, për të marrë vendime para ndeshjes. Është më e thjeshtë për ne të komentojmë pas, por si veprim doli i dështuar.

Sigurisht ka marrë garanci nga stafi mjekësor, por e dimë shumë mirë që është e para ana psikologjikë dhe e dyta në tre ditë nuk stërvitet me ekipin. Edhe për Asanin, edhe për lojtarin tjetër që priste shans. Në pjesën e dytë u dhanë impulse shumë të mira nga ata që mund të hynin në pjesën e parë”, tha Fakaj për “SuperSport”.