Ndonëse ende nuk ka një vendim përfundimtar, duket e sigurtë se Ervis Kraja do të jetë trajner i Vllaznisë B edhe në sezonin e ardhshëm. Kontrata e tij aktuale i ka përfunduar dhe pritet që në ditët e ardhshme të firmoset kontrata e re. Kuptohet që nuk ka arsye të ndodhë ndryshe sepse ai ka bërë një punë shumë të mirë me këtë skuadër në dy sezonet e fundit.

Fillimisht në kategorinë e tretë ku mori pjesë për herë të parë duke siguruar ngjitjen një kategori më lart ndërsa në sezonin e fundit kur konkurroi në kategorinë e dytë, arriti ta rendisë këtë ekip në vendin e dytë. Çka do të thoshte se Vllaznia B fitoi të drejtën të luajë në play-off ndaj Sopotit të Librazhdit dhe në ndeshjen e luajtur në Lushnjë, shkodranët fituan përmes 11-metërshave duke siguruar ngjitjen në kategorinë e parë për sezonin e ri. Padyshim që ky është një sukses për Vllazninë duke qenë i pari klub që do të përfaqësohet me një ekip edhe në kategorinë e parë përveç atij të Superligës. Vështirësitë për ta arritur këtë objektiv madhor nuk kanë qenë të pakta megjithatë trajneri Kraja ia ka dalë dhe për këtë arsye, natyrisht që pritet të jetë serish ne krye te ketij ekipi.

www.shkodrasport.com