Loja e skuadrës së Vllaznisë në ndeshjen e parë të Kampionatit të Kategorisë Superiore, ajo ndaj Erzenit, nuk i ka pëlqyer aspak Ish-futbollistit të Vllaznisë, Ervis Kraja. Pas 3 vitesh mungesë, ai është rikthyer në Shkodër nga Australia. Me shumë emocion e ka pritur Kraja nisjen e kampionatit, por është zhgënjyer nga loja e kuqebluve.
“Erdha me dëshirë dhe kisha marrë edhe biletën për të parë Vllazninë. Por për fat të keq nuk pati lojë. Ndoshta ngarkesat fizike në periudhën përgatitore, por skuadra nuk bëri asgjë në mbrojtje, në mesfushë e në sulm. Por unë besoj se do të ndryshojë”, thotë Kraja.
Duke vlerësuar punën e presidentit Alban Xhaferi, Kraja beson se kthesa e skuadrës do të vijë që në ndeshjen e kësaj fundjave me Kukësin.
“Presidenti Alban Xhaferi ka bërë investime e ndryshime në skuadër dhe unë besoj se gjithçka e mirë do të nisë nga ndeshja me Kukësin. Besoj fort se kjo skuadër do të ndryshojë dhe do të marrë fitoren”.
Ervis Kraja ka edhe një mesazh për bashkëqytetarët e tij dhe sidomos tifozërinë kuqeblu. “Vllaznia ka gjithmonë nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe unë besoj se do të jenë të shumtë në ndeshjen me Kukësin”, shpjegon Kraja.
Sa i përket Vllaznisë, skuadra që prej të hënës ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë kundër Kukësi, të cilën do ta luajë të dielen në stadiumin “Loro Boriçi”.