Ervis Kraja mori përsipër që të ndihmonte të dyja skuadrat shkodrane, si Vllazninë A ashtu dhe atë B.
Me skuadrën e dytë bëri një punë të mirë pak ditë më parë duke mundur Orikun dhe siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, për vetëm pak ditë.
Skuadra e parë dje ka zbritur zyrtarisht në Kategorinë e Parë, duke bërë që skuadra B të shkojë automomatikisht në Kategorinë e Dytë, dramë e vërtetë kjo për qytetarët shkodranë.
Por kush e tradhëtoi Ervis Krajën ditën e djeshme? Mund të nisemi të themi që fati nuk ishte në krah të shkodranëve, pasi bëri një punë të mirë në fushën e blertë ndaj korçarëve, por Partizani nga ana tjetër nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të shënuar në portën e Kamzës.
Të shumtë janë tifozët që vazhdojnë të mendojnë se ishte Partizani që tradhëtoi, jo vetëm Krajën por Vllazninë dhe Shkodrën mbi të gjitha. Një gol i të kuqve mund të kishte ndryshuar gjithçka por ja që nuk u realizua.
Të njëjtin mendim ndanin shumica e analistëve dhe personazhve të botës së futbollit në shkodër por jo vetëm, të cilët të zhgënjyer deklaruan se Vllaznia nuk ra se fitoi Kamza, por sepse nuk donte të shënonte Partizani.
Këtë mendim e kanë përforcuar dhe “Ultras Guerrils”të cilët dje nëpërmjet një njoftimi, shpreheshin të zhgënjyer për atë që ndodhi në fushën e blertë.
E ndërkohë që të gjithë hedhin teza të ndryshme, pro apo kundër Partizanit qofshin këto, duhet pranuar se në Shkodër sot është një ditë zie, pasi dy skuadrat e futbollit kanë zbritur aty ku nuk iu takon, të paktën të këtij mendimi janë sportdashësit shkodranë që do duhet të shikojnë skuadrat e tyre të ndeshen me ekip inferiore minimumi për një vit. /newsport/