Vllaznia është një temë e “ndjeshme” për këdo në Shkodër e sidomos për ata që ndër vite, e kanë mbajtur veshur fanellën kuqeblu. Një prej tyre është edhe Ervis Kraja, ish-kampioni i vendit me kuqeblutë ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Ai analizon ndeshjen e fundit përballë Partizanit, ku mendon se skuadra duhet ta kishte interpretuar ndryshe. E ndërsa për momentin nuk i shikon shkodranët si pretendentë për titull dhe pret përforcime në merkaton e janarit në skuadër.


Mund ta zgjidhte ndoshta më ndryshe Brdariç sfidën me Partizanin?

Them se po, ekipi duhet të bënte pak më shumë llogari. Ta priste kundërshtarin dhe në synim ndoshta të kishte një barazim. Që në kushtet aktuale ndoshta do kishte shijen e fitores.


Pa përfshirë emocionet si ish-futbollist dhe trajner i ekipit, a mundet që kjo skuadër të jetë kampione në fund?

Kjo nuk është momentalisht një skuadër për kampion sepse po të ishte do të kryesonte kampionatin. Një merkato cilësore dhe një fazë përgatitore serioze besoj se i bëjnë mirë skuadrës. Po ashtu me rikthimin e kampionatit çdo ndeshje duhet trajtuar si finale. Në fund për të arritur objektivat.