Nga Endri ÇINARI

Vllaznia-Erzeni do jetë ndeshja që do mbyllë raundin e 11-të të Superiores. Takimi që do luhet ditën e sotme në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës sheh përballë dy skuadra në formë të ngjashme. Por tek shkodranët tashmë diçka ka ndryshuar.

Dhe në stol nuk është më Memelli, por tashmë Qatip Osmani. Ku me kureshtje pritet të paktën që ekipi të tregojë një motivim tjetër. Por edhe tek shijakasit duan pikë, të cilat në dy sezonet e fundit realisht kanë ditur ti marrin kundër Vllaznisë. Trajneri Deliallisi duket se ka përgatitur edhe 11 titullarët që do zbresin sot në fushë kundër shkodranëve.

Kështu nga porta do e nisë i zakonshmi, Hasanbelli, që ka qenë titullar i katërkëndorit këtë sezon. Në mbrojtje emra si: Atanda, Sadiki dhe Kacbufi pritet të përbëjnë treshen qëndrore. Gjithashtu të ndihmuar nga krahët ku djathtas pritet Maliqi dhe në të majtë, Peposhi.

Në mesfushë një dyshe interesante këtë sezon kanë qenë Migone dhe Alba. Ku së bashku me lojtarët latinë pritet të rreshtohet edhe Meçja. Në pjesën sulmuese me siguri do jenë dyshja Zeka-Mihana. Futbollistë të cilët i shënuan Vllaznisë në barazimin 2-2 të fazës së parë mes shkodranëve dhe shijakasve.