Erzeni vazhdon stërvitjet intensive nën drejtimin e Xhevahir Kapllanit dhe stafit të tij që përbëhet nga ndihmësi Alfred Deliallisi, trajneri i portierëve, Kujtim Shtama dhe përgatitësi atletik, Aurel Locaj.

Skuadra shijakase është stërvitur në fushën me bar natyral të stadiumit “Tofik Jashari” dhe ajo që bën përshtypje është fakti se çdo ditë ndiqet me shumë pasion nga tifozët vendës.

Në këtë stadium Erzeni do të zhvillojë nesër edhe miqësoren e parë të kësaj minifaze përgatitore, pikërisht ndaj Valbonës së Tropojës, që militon në Kategorinë e Dytë.

Pavarësisht diferencave mes ekipeve, kjo miqësore do t’i shërbejë trajnerit Kapllani për të parë më mirë gjendjen e futbollistëve, të cilët vijnë pas një pushimi një-javor.

Në javën e kaluar ata kanë marrë shumë ngarkesa, ndërsa nesër Kapllani do t’i shikojë në kushte loje se çfarë gjendjeje kanë secili futbollist.

Interesant është fakti se kjo është hera e parë në historinë e dy klubeve që përballen, edhe pse është një ndeshje miqësore. Burime në klub tregojnë se ekipi është i plotë, pa asnjë mungesë për shkaqe dëmtimesh.

Në ndeshjen me Valbonën pritet që t’u jepet mundësia të gjithë lojtarëve, veçanërisht atyre që kanë marrë pak minuta.

ME PARTIZANIN MUNGOJNË TIFOZËT

Ndeshja e radhës për shijakasit do të jetë kundër Partizanit në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, teksa do të luhet më 11 ose 12 dhjetor.

Ky takim do të zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak se klubi shijakas vuan ende dënimin nga Komisioni i Disiplinës.

Kjo ndeshje në këto kushte do të luhet për kreun, jashtë çdo parashikimi të mëparshëm.

Erzenin e presin sfida edhe më të vështira, pasi tashmë skuadrat kanë marrë mjaft seriozisht përballjet ndaj shijakasve.

Megjithatë, në klub janë të qetë dhe stafi është munduar të injektojë besim dhe mentalitet fituesi te lojtarët, të cilët kanë qëndruar me këmbë në tokë dhe larg euforisë.

Natyrisht, ata do të tentojnë një tjetër mrekulli ndaj Partizanit, ashtu si në fazën e parë në “Elbasan Arena”, ku arritën një fitore historike. Mungesa e tifozëve është i vetmi lajm i keq për këtë takim të vlefshëm për javën e 13-të.