Kapiteni i Erzenit, Ardit Iljazi ka dhënë një intervistë për emisionin “Panorama Sport”, nën moderimin e gazetares Vjosana Nozllaku. Mbrojtësi ka komentuar sfidën me Vllazninë duke thënë se fati ishte me ta. Ndër të tjera ai u shpreh se nuk ja kanë frikën asnjë skuadre.
“Jemi me këmbë në tokë, vazhdojmë për më shumë suksese të tjera. Jemi të gjithë një për një, dhe një për të gjithë dhe shkojmë për ndeshjet me radhë. Që nga fillimi që kam ardhur këtu kemi qënë pak poshtë, por tani jemi shumë lart. Jemi një grup me dy tre lojtarë të vjetër, dhe ne të tjerët jemi të rinj. Më kanë pritur shumë mirë. Shikojmë të sigurojmë mbijetesën.
E kishim përgatitur ndeshjen me Vllazninë, por ishte e vështirë se na vunë në vështirësi, por fati ishte me ne në fund. Kampionati në Shqipëri është shumë i fortë dhe shihet nga klasifikimi, me një fitore ngjitesh në vendin e tretë dhe me një humbje zbret. Ne nuk ia kemi frikën asnjë skuadre prandaj jemi në vendin e 3-të. Këtë sezon ndeshjet me Partizanin dhe Tiranën kanë qenë të komplikuara. Redon Xhixha ishte pak i vështirë për tu mbajtur, por ia kam dalë më së miri.
Ne stërvitemi momentalisht ose në Shijak ose në Durrës dhe fushat janë në kushte shumë të mira. Tifozët shijakas janë të “çmendur”, na kanë përkrahur çdo herë në çdo transfertë sidomos ndaj Kukësit, besoj e keni parë edhe vetë, ne fituam për shkak të tyre sepse ishin rreth 400 persona ata janë çdo herë në numër. Ka qenë pak i vështirë transferimi im por Erzenin e zgjodha si trampolinë për karrierën time, dhe besoj ka dalë për mirë nuk ishte zgjedhje e gabuar.
Me pagat çdo është është në rregull. Ndeshja me Teutën në Kupë do të jetë e vështirë por ne do të futemi për ta kaluar këtë raund dhe besoj do ja dalim me një rezultat pozitiv me ndihmën e tifozëve shijakas. Marrëdhënia me shokët e skuadrës është e shkëlqyeshme, jemi si një familje në humbje dhe fitore. Edhe kur humbasim trajneri Kapllani na thotë djema vazhdoni me kokën lart, kemi finalen tjetër, pasi ne çdo ndeshje e cilësojmë si një finale.
Ne futemi gjithmonë me idenë për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të dhënë maksimumin, pastaj rezultatin e ka në dorë Zoti. Trajneri është shumë njeri i mirë dhe pozitiv, dhe gabimet na thotë që ti rregullojmë. Kemi marrëdhënie të mirë edhe me brazilianët edhe pse ata kanë pak problem me gjuhën, por e gjithë gjëja shikohet në fushë.
Kanë ardhur lojtarë të mirë tek Erzeni në këtë merkato. Për momentin jam i përqëndruar tek ky ekip pastaj do të shoh çfarë do të më sjellë e ardhmja. Shpresoj të renditemi sa më mirë në fund të kampionatit dhe të kemi rezultate të mira. Ëndrra ime është të luaj në një klub në Europë, por tani jam me këmbë në tokë dhe vazhdoj të punoj.
Përsa i përket çështjes nëse jam i lidhur apo beqar kjo është private. Shpresoj të kemi edhe më shumë tifozë në ndeshjet e ardhshme, pasi me ndihmën e tyre dhe tonën do të arrijmë edhe më shumë. Ndeshja me Teutën do të jetë e vështirë por ne shkojmë për fitore”, u shpreh Iljazi për “Panorama TV”./PANORAMA-SPORT/