Në fund të kësaj jave do të rinisë kampionati i kategorisë së parë dhe Grupi A do të startojë me sfidën kryesore, atë në të cilën do të përballen dy ekipet e vendeve të para, Vllaznia dhe Erzeni.
Një ndeshje që mund të përcaktojë shumë gjëra sa i takon ecurisë së mëtejshme të të dy ekipeve në kampionat dhe për këtë arsye, pritet me shumë interes.
Por duhet thënë se takimi nuk do të luhet në Shijak. Arsyeja është se kjo fushë është dënuar nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së për disa incidente të ndodhura në ndeshjet e kaluara të Erzenit.
Incidente që kanë qenë të përsëritura dhe për këtë arsye, takimi do të luhet në fushë asnjanëse. I takon klubit të Erzenit për zgjedhjen e saj ndërkohë që tek Vllaznia janë në pritje të mësimit të vendit ku do të luhet ky takim.
Sipas të gjitha gjasave, ndeshja Erzeni- Vllaznia do të luhet në stadiumin e qytetit të Peqinit megjithatë pritet konfirmimi përfundimtar nga Federata për këtë, por edhe për ditën kur do të luhet, të shtunën apo të dielën.
© shkodrasport.com