Në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës ka luajtur në një pozicion tjetër, atë të mesfushorit të avancuar duke zëvendësuar në këtë rol Kahrimanoviç i cili e nisi nga stoli këtë herë dhe Esat Mala edhe në këtë pozicion të ri e ka bërë ashtu si duhet punën e tij duke e ndihmuar Vllazninë të merrte një fitore me shumë vlerë në shifrat 3-1.
Madje, Mala ishte ai që i hapi rrugën fitores së kuqebluve duke shënuar golin e parë të ndeshjes që në minutën e 2-të kur shfrytëzoi një top të dhuruar nga mbrojtësit kundërshtar, gol ky që ishte i gjashti për të në këtë kampionat. Duke folur pas ndeshjes për mediat, ai është shprehur:
“Gjatë gjithë javës pas humbjes ndaj Egnatias, ishim përgatitur për një ndeshje shumë të vështirë. Ishim gjithë kohën të përqendruar, sepse është e vështirë të gjesh motivimin për t’u kthyer tek trepikëshi. Ishte shumë e rëndësishme kjo fitorja ndaj Teutës dhe dua të komplimentoj çunat për atë çfarë dhanë në fushë.
Goli? Normalisht kur shënon dhe ekipi fiton, ndihesh shumë i plotësuar dhe shpresoj që të vazhdoj në këtë mënyrë që e kam nisur, me gola dhe asiste. Dua ta ndihmoj sa më shumë ekipin. Objektivi që i kemi vendosur vetes është të shohim përpara dhe vetëm për ndeshjen e rradhës.
Kjo është ajo çfarë presim. Pas një viti të vështirë, ky vit ka qenë i mirë për mua në aspektin personal. Uroj që të vazhdoj pa dëmtime dhe të jap maksimumin dhe mendoj se kam ende për të dhënë për Vllazninë”./www.shkodrasport.com/