Mesfushori i Vllaznisë, Esat Mala, në një lidhje direkt me emisionin “ELITE SHOW”, preku disa tema të ndryshme. Duke nisur nga forma shumë e mirë e ekipit shkodran.

Kuqeblutë numërojnë 10 ndeshje pa humbje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, ecuri që ka rikthyer entuziazmin në Shkodër. Vllaznia luan të martën në transfertë kundër Erzenit, çerekfinalja e parë e Kupës.

“E kemi nisur me këmbë të mbarë vitin 2024. Ndjenjë shumë e mirë kur shoh golin në derbi përballë Partizanit. Por nuk krahasohen me ndjenjën që përjetova atë natë. Ishte goli i parë me Partizanin, erdhi në një derbi.

Vllaznia-Partizani në finale? Normalisht që do të më gëzonte.

Ndryshimi për mirë te Vllaznia? Ne jemi qetësuar dhe jemi munduar që gjërat pozitive që kemi t’i forcojmë sa më shumë. Jemi marrë edhe me problemet.

Kemi treguar paraqitje dinjitoze gjatë këtyre javëve. Energjia është pozitive, jemi ndër ekipet më të forta gjatë kësaj periudhe. Tifozët na dhanë një energji shtesë në fitoren ndaj Egnatias.

Titulli? Gjithë këtë vazhdueshmëri e kemi patur ndeshje pas ndeshjeje. Pse jo, të besojmë deri në fund për titullin kampion, formula na e lejon.

Pozicioni im? Jam i gatshëm të bëj sakrifica për ekipin. Dhe të luaj ku duhet. Kam pranuar çdo pozitë, por tani kam gjetur stabilitetin në pjesën e sipërme.

Balaj? Punon për ekipin, jo vetëm për golat. Vrapon shumë, e ndjen peshën e fanellës. Ka egon e fitores, kemi mësuar shumë prej tij, si të kujdesemi për veten. Dhe jo vetëm. Ka qenë shumë produktiv.

Pamja e re? Sekretin e di vetëm ai. Vetëm të shënojë gola, pa për ne është më i miri. Shpresojmë dhe dëshirojmë të fitojmë titullin. Do të luftojmë deri në fund”, u shpreh 25-vjeçari.