Shqipëria në shtator luan në Nations League kundër Izraelit, ndërkohë që pritet që më parë kuqezinjtë të zhvillojnë një tjetër miqësore

pas kësaj të Norvegjisë, që skuadra e drejtuar nga Christian Panucci e humbi në “Elbasan Arena” me rezultatin minimal 0-1.

Trajneri italian është shprehur se po tenton të krijojë një ide të qartë për lojtarët e tij, ndaj këtë periudhë kërkon ta shfrytëzojë për të qartësuar gjithçka mbi grupin që do të ketë në dispozicion për kualifikueset e ardhshme të Europianit.

Në sulm nuk është se po bëjmë mirë së fundmi, teksa Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi në ekipet respektove po luajnë pak, ndërkohë që e njëjta gjë ndodh edhe me Armando Sadikun në Spanjë me Levante-n.

Llullaku duket se ka dalë nga “rrethi” sërish, pasi te Virtus Entella nuk po lë ndonjë gjurmë.

Në miqësoren me Norvegjinë risitë ishin Kristal Abazaj dhe Enis Gavazaj, por asnjëri prej tyre nuk pati mundësinë të luante. Gjithsesi ai grumbullim u vlen shumë për moralin.

Këtë herë ndoshta është momenti që të afrohen dy sulmues të tjerë, të paktën të tregojnë cilësitë e tyre në grumbullim.

I radhës do bëhet në Zvicër para miqësores me Ukrainën dhe një ditë më parë një mesazh për Panuccin e kanë lënë Sindrit Guri dhe Fiorin Durmishaj.

Shkodrani arriti të shënojë tre gola kundër Partizanit, i treti një kryevepër. Gjatë këtij sezoni ai ka arritur të shënojë 15 gola, një shifër e mirë, duke ditur edhe faktin që në kampionatin tonë nuk është se shënohet shumë.

Guri e ka shprehur se dëshiron shumë që të veshë fanellën kuqezi dhe se e pret krahëhapur një mundësi.

Gradualisht kriteret po i plotëson. Veç tij, është Fiorin Durmishaj është një lojtar me cilësi të mira.

21-vjeçari shënoi një “eurogol” me skuadrën e tij të Panionios kundër PAOK-ut, ndërkohë që edhe me Shpresat në ndeshjet kur është grumbulluar ka bërë mirë, duke marrë edhe lëvdatat e trajnerit Alban Bushi.

Ndoshta tani është momenti i tij që të marrë një ftesë nga kombëtarja e madhe. Sulmuesit nuk i mungojnë cilësitë dhe është një element i ri që do të shërbente edhe për të ardhmen. /EDS/